Qindra njerëz u mblodhën në New York, Los Angeles dhe Boston për të shprehur mbështetjen e tyre për Ukrainën pas debatit që shkëmbyen liderët në Zyrën Ovale.
Protestuesit që mbanin tabela pro-Ukrainase u mblodhën në Waitsfield, Vermont.
Mediat amerikane shkruajnë se Presidenti amerikan dhe familja si dhe Vance ndodhen në një vendpushim skie, për të qëndruar larg demonstratave. Demonstruesit dënuan gjithashtu trajtimin e Trump ndaj Zelenskyt, duke thënë se ata ishin ‘të tmerruar’ nga ai dhe konfrontimi mes tyre ishte një ‘turp’ për botën.
“Jam këtu sepse jam e tmerruar nga trajtimi që presidenti Zelensky mori, e dini ata nuk po trajtohen me drejtësi nga asnjëra anë. Ata nuk kanë asnjë arsye për t’i besuar Rusisë. Kështu që unë jam këtu për t’i mbështetur me çfarëdo mënyre që mundem. Ishte i turpshëm si takim. Nuk mund të ishte më keq, nuk përfaqëson Ukrainën”, tha Cacci Greenfield, protestuese.
Në një shfaqje të pa precedentë në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Donald Trump dhe Presidenti Volodymyr Zelensky u përplasën ashpër mes tyre dhe lanë pa shpresa përpjekjet për paqe mes Kievit dhe Moskës.
Por tensioni mes tyre u shtua edhe më shumë kur në diskutime u përfshi edhe zëvendëspresidenti JD Vance i cili tha se “diplomacia” ishte e nevojshme për t’i dhënë fund luftës. Por Zelensky pyeti “çfarë lloj diplomacie” dhe Vance më pas e akuzoi atë për “mosrespektim” në zyrën e presidentit.
Këto tensione bënë që të anulohej konferenca e përbashkët dhe Zelensky të largohej nga Shtëpia e Bardhë pa nënshkruar marrëveshjen e parashikuar për mineralet e rralla. Presidenti Donald Trump u shpreh se Zelensky nuk është gati për marrëveshje paqeje ku të përfshihet edhe Amerika.
Mes atyre që treguan mbështetje për Kievin ishin liderët europianë, si Presidentja e KE Ursula Von Der Leyen, Presidenti Macron, Kryeministri Pedro Sanchez, Kryeministri australian Anthony Albanese, Presidenti çek, polak dhe ai holandez, si dhe ai kanadez Justin Trudeau. Ndërsa i vetmi lider që tregoi mbështetje për Presidentin Donald Trump ishte Kryeministri hungarez Viktor Orban.
Ukrainasit përballen me një realitet të ri të frikshëm pas përplasjes në Shtëpisë e Bardhë midis Zelensky dhe Trump, e cila i uli lidhjet midis Kievit dhe mbështetësit të tij kryesor ushtarak në një nivel të ri të ulët.
Klan News