“Paketa AntiKÇK do të ketë rezultat të rëndësishëm”
Presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli ndodhet në Shqipëri për një vizitë dyditore ku do të takohet me drejtuesit e lartë shtetëror të vendit tonë. Fillimisht, zyrtari i BE-së pati një takim me kryeministrin Rama, i cili u mbyll me një konferencë për mediat.
Gjatë kësaj konference, kryeministri Edi Rama theksoi se në fokus të diskutimeve me Presidentin e PE-së ishte përveç procesit të integrimit edhe paketa AntiKÇK. Kreu i qeverisë tha se e njohu Sassoli-n me ligjin special të qeverisë.
“Më vjen shumë mirë që vizita e Presidentit përkon me operacionin e parë në terren të Forcës së Ligjit dhe ia shpjegova Presidentit skemën e organizmit që besoj shumë që më herët se vonë do të përçojë një mesazh shumë të fortë me fakte dhe jo me fjalë në opinionin publik shqiptar dhe atë ndërkombëtar se sa vullnet kemi dhe sa seriozë jemi për ta ndryshuar rrënjësisht këtë vend”, tha Rama, i cili falenderoi Sassoli-n për angazhimin e tij për Shqipërinë.
Në fjalën e tij, David Sassoli, deklaroi se Parlamenti Europian është i bindur për nisjen e negociatave mes BE-së dhe Shqipërisë. Ai e konsideroi mosçeljen e negociatave vitin e kaluar vetëm një vonesë, por që po mbushet nga nismat e mëdha nga qeveria. Ai theksoi se fati i BE-së dhe Shqipërisë është i përbashkët.
“Ndodhi një ngadalësim përpara fundit të viti, por procesi i anëtarësimit duhet të fillojë. Është i bindur për këtë Parlamenti, është i bindur Komisioni Europian. Janë të bindura shumë shtete anëtare. Jam i bindur që kjo është vetëm një vonesë, por që po mbushet edhe nga nismat e mëdha nga ana e qeverisë. Këto janë nisma që jo vetëm i shikojmë me favor dhe i mbështesim, por janë edhe të domosdoshme. Kemi parë se si ka rifilluar dialogu për të pasur konsensusin e nevojshëm për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë. Kemi një fat të përbashkët dhe një të ardhme të përbashkët. Në këtë ka edhe shumë për të kryer. Folëm me kryeministrin edhe për sistemin bankar, rregullat bankare. Do përpiqemi të kemi rregulla homogjene në hapësirën e BE-së. Sigurisht flasim në këtë moment edhe për çështjet e sigurisë. Janë çështje që vlejnë edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor, por edhe BE-së. Kemi nevojë ti vëmë ekonomitë në kushtet që të punojnë sëbashku për zhvillimin tonë. Është shumë e rëndësishme për PE-në që të ketë vëmendjen ndaj institucioneve shqiptare. Është mision i rëndësishëm për ne jo vetëm sepse është një vend që laget nga deti Adriatik, por është në zemrën e Ballkanit Perëndimor”, tha Sassoli.
Sassoli pati edhe një koment të shkurtër për paketën AntiKÇK ku theksoi se në thelb ka rikuperimin e pasurive. Ai u shpreh i sigurt që kjo nismë do të ketë rezultat të rëndësishëm.
“Jam i kënaqur se mbi këtë reformë ka edhe pak frymë italiane. Ne prej 10-vjeçarësh jemi gjendur në kushtet e luftës kundër krimit të organizuar. Do të rrisim aftësinë tonë për të qenë sëbashku në luftën kundër paligjshmërisë. Masa që është marrë ka në thelb rikuperimin e pasurive. Jam i sigurt që do të ketë një rezultat të madh, të rëndësishëm”, tha Sassoli./tvklan.al