Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, pasoi takimet e tij me ministrat e Punëve të Jashtme në kuadër të kryesimit nga Shqipëria të Kartës së Adriatikut, A5. Scheffer gjatë fjalës së tij përshëndetëse iu drejtuar ministrave të Punëve të Jashtme të Komisionit të Partneritetit, se nga Shqipëria duhet të marrin shembull të gjithë vendet që duan të jenë pjesë e NATO-s.

Jaap de Hoop Scheffer: “Kam qenë i bindur se integrimi euroatlantik ofron rrugën e vetme të mundshme, që Europa Juglindore të ecë përpara. Kjo është arsyeja pse, përgjatë gjithë mandatit tim si sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, unë kam qenë një mbështetës i palëkundur i politikës së dyerve të hapura të NATO-s. Kjo është arsyeja pse unë isha shumë i lumtur që në samitin e fundit të NATO-s në Strasburg dhe Kehl, ne ishim në gjendje të mirëprisnim Shqipërinë dhe Kroacinë, si anëtare me të drejta të plota në Aleancë. Ky është një sukses shumë i madh për këto dy vende, që kanë punuar shumë për t’i kthyer aspiratat e tyre në realitet. Por është, gjithashtu, një sukses për të gjithë rajonin. Kjo arritje duhet të shërbejë si shembull se çfarë mund të arrihet, dhe unë shpresoj, do të jetë një inkurajim i mëtejshëm për ato vende të këtij rajoni të cilat ndajnë të njëjtin objektiv për t’ju bashkuar Aleancës së Atlantikut, si anëtare me të drejta të plota.”

Ministri Lulzim Basha tha, se Shqipëria beson tek marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, me të gjitha shtetet e rajonit, përfshirë këtu edhe Serbinë. Ndërsa theksoi se anëtarësimi i Shqipërisë ne Aleancë ishte fryt i produkt i mirëfilltë të meritave të akumuluara ndër vite dhe i reformave të rëndësishme.

Lulzim Basha: “Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO nuk ishte një dhuratë, sepse NATO është tepër e çmuar për t’u dhënë si e tillë. Anëtarësimi ishte produkt i mirëfilltë meritash të akumuluara ndër vite, rezultat i reformave të guximshme dhe të suksesshme, në fushën politike, ushtarake, ekonomike, sociale e juridike. Këto reforma kishin në themel të tyre, vullnetin e pakthyeshëm politik të qeverisë shqiptare, mbështetjen masive e të pakursyer të qytetarëve shqiptarë dhe bashkëpunimin konstruktiv të të gjithë aktorëve politikë pa asnjë përjashtim. Përpjekja titanike për transformimin e gjithanshëm të Shqipërisë dhe veçanërisht për plotësimin e standardeve të anëtarësimit, shërbyen si një impuls i fuqishëm për rritjen e cilësisë dhe efektivitetit të reformave, që ndërmorëm në të gjitha fushat.”

I ftuar në këtë forum  ka qenë dhe zëvendës ndihmës sekretari i shtetit të SHBA-se, Stjuart Xhones. Pjesë e këtij takimi ishin  ministrat e Jashtëm të Bosnje-Hercegovinës, Maqedonisë dhe Mali të Zi, si dhe sekretari i Shtetit në Ministrinë e Jashtme dhe Integrimit Europian të Kroacisë./tvklan.al