Ronela Hajati, përfaqësuesja e Shqipërisë në ‘Eurovision 2022’ me këngën ‘Sekret’ në Torino, Itali nuk është kualifikuar për në natën finale të festivalit mes 10 shteteve të para.
Ajo ishte e para që performoi nga 17 shtete në garë dhe hapi natën e parë gjysmëfinale të Eurovision 2022 me një performancë që do të mbahet mend gjatë.
Performanca e saj është komentuar shumë nga fansat e festivalit, por edhe nga mediat ndërkombëtare.
Ka qenë britanikja ‘Metro’ që e ka lavdëruar Ronelën për performancën ‘seksi’ të shoqëruar në skenë nga koreografia shqiptare, Klaudia Pepa dhe 4 balerinë italianë, por pa fat për Ronela Hajatin.
Menjëherë pas përfundimit të performancës Ronela është futur live në Instagram me fansat ku ka treguar emocionet e saj: Kurrë në jetën time nuk kam patur kaq emocione sa sot. Po dola në finale nuk e di çfarë do bëj. Kanë qenë emocionet më të forta në jetën time. Ju dua shumë…
Prezantuesit britanik të festivalit në tansmetimin direkt të BBC e kanë komentuar gjithashtu performancën e Ronela Hajatit si mënyrën e duhur për të nisur një spektakël.
Në rrjete sociale ndjekësit e kanë komplimentuar Ronelën për vetëbesimin që ajo ka treguar dhe energjinë e saj në skenë. /tvklan.al