Kur bëhet fjalë për hite, këngë virale dhe një gamë të gjerë performancash eksplicite ose jo, ajo është kryefjalë. Në javën e dytë të “Kënga Magjike”, performoi Ronela Hajati.
Kujtojmë se pjesëmarrja e saj e fundit në këtë festival ka qenë me këngën “Vuj”, e ndërkohë dalja e saj e fundit në një skenë festivalore ka qenë pjesëmarrja e saj në “Eurovision Song Contest” ku përfaqësoi Shqipërinë me “Sekret”, një këngë që tashmë është bërë hit në gjithë Europën.
“Labirinth” është kënga e cila riktheu Hajatin në skenën magjike pas 6 vitesh, e brenda 5 ditësh kënga ka rrëmbyer rreth 1 milion klikime.
Prej vitesh është mister kapitulli i saj i historive të dashurisë, por nën rreshta ajo la të nënkuptojë rreth statusit aktual.
Në skenën “magjike”, Ronela Hajati bëri betimet e martesës. Në momentin që dikush priste lulet, ajo na shokoi duke i thënë nëpërmjet ekranit “partnerit të saj anonim”: Betohem që do mundohem të të dua.
Sigurisht kjo deklaratë shokuese, ka një shpjegim prej këngëtares. Në intervistën me Ardit Gjebrean, ajo shpjegoi: Është më mirë të mundohesh ta duash, sepse ai (partneri), kushedi çfarë do bëjë dhe unë sërish do mundohem ta dua.
Nëse do të kemi së shpejti një martesë të vërtetë nga Ronela Hajati, kjo do të mbetet për t’iu lënë kohës./tvklan.al