Senati i SHBA ka miratuar paketën prej 95 miliardë Dollarë ndihmë ushtarake për aleatët e tij, e cila përfshin ndihmën e shumëpritur prej 61 miliardë Dollarësh për Ukrainën, që synon të ndihmojë Kievin të mbrohet kundër Rusisë.
Projektligji u miratua me një votim dërrmues 79-18 pro të martën vonë. “Një shumicë dypartiake në Senat iu bashkua Dhomës. Unë do ta nënshkruaj këtë projektligj në ligj dhe do t’i drejtohem popullit amerikan sapo të arrijë në tryezën time, në mënyrë që të mund të fillojmë dërgimin e armëve dhe pajisjeve në Ukrainë këtë javë”, tha Biden në një deklaratë.
“Falenderoj liderin e shumicës Chuck Schumer dhe udhëheqësin republikan Mitch Mçonnell për udhëheqjen e tyre të fortë në avancimin e këtij legjislacioni dypartiak, si dhe të gjithë senatorët amerikanë që votuan në favor të tij,” postoi ai në mediat sociale disa minuta pasi projektligji u miratua.
Miratimi i ndihmës prej 61 miliardë Dollarësh për Ukrainën vjen ndërsa Kievi ka nevojë të jashtëzakonshme për furnizime të reja ushtarake dhe Rusia ka intensifikuar ofensivën. Dhoma e Kongresit miratoi projekt-ligjin të shtunën përmes katër votimesh.
Mes të tjerash zyrtarët amerikanë kanë bërë të ditur se Pentagoni është gati të dërgojë 1 miliard Dollarë ndihmë të re ushtarake në Ukrainë, pjesa më e madhe pas javëve të ardhshme.
Kjo përfshin automjete, municione të mbrojtjes ajrore Stinger, municione shtesë për sistemet e raketave të artilerisë me lëvizshmëri të lartë, municione antitank TOW dhe Javelin dhe armë të tjera që mund të përdoren menjëherë në fushën e betejës.
Kjo paketë ka gjithashtu edhe 26 miliardë Dollarë për Izraelin dhe ndihmë humanitare për qytetarët e Gazës, dhe 8.12 miliardë Dollarë për Tajvanin dhe Indo-Paqësorin.
Klan News