Senatori demokrat Bob Menendez u shpall fajtor nga një gjykatë në New York për marrje ryshfeti, përfshirë para në dorë, objekte floriri dhe një makinë luksoze nga tre biznesmenë të New Jersey.
Gjatë procesit që zgjati nëntë javë, prokurorët thanë se demokrati i New Jersey-t abuzoi me pushtetin e postit të tij për të mbrojtur disa njerëz nga hetimet kriminale. Ai gjithashtu u akuzua se ndihmoi bashkëpunëtorët e tij për t’u pasuruar, përfshirë gruan e tij, përmes veprimeve që përfshinin takime me zyrtarë të zbulimit egjiptian dhe duke ndihmuar atë vend të marrë miliona dollarë në ndihma ushtarake amerikane.
Senatori Menendez nuk dëshmoi, por këmbënguli publikisht se ai po bënte vetëm detyrën e tij si kryetar i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë. Ai tha se shufrat e arit të gjetura në shtëpinë e tij nga FBI-ja i përkisnin gruas së tij. Gjatë bastisjes së vitit 2022 në shtëpinë e Senatorit, agjentët e FBI-së konfiskuan shufra ari me vlerë afro 150,000 dollarë dhe mbi 480,000 dollarë para në dorë. Një pjesë e parave ishte fshehura në çizme dhe xhaketa të zbukuruara me emrin e senatorit.
Shpallja fajtor vjen katër muaj para zgjedhjeve dhe praktikisht eliminon çdo shpresë që Senatori Menendez kishte për të bërë fushatë për t’u rizgjedhur si kandidat i pavarur.
Klan News