Edhe pse ishte iniciativa e tyre me anë të peticionit për mbajtjen e referendumit për shkarkimin e katër kryetarëve shqiptarëve të komunave, serbët iu bindën thirrjes së Listës Serbe duke bojkotuar procesin e votimit.

Në zgjedhjet e së dielës në komunat veriore me shumicë serbe në Mitrovicën e Veriut, Zubin Potok, Leposaviç dhe Zveçan nga rreth 47 mijë zgjedhës votuan  gjithsej vetëm 253 persona. Zveçani mban rekordin me zero pjesëmarrje në votime.

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniçi tha se nisma për shkarkimin e katër kryetarëve është e rrëzuar, pasi nuk është arritur numri i duhur i votave.

“Duke u mbështetur në të dhënat e daljes së votuesve në këtë proces ju njoftojmë se nuk kanë votuar shumica e votuesve të regjistruar siç kërkohet në ligj, pra nuk është arritur 50% + 1. Prandaj konstatojmë se iniciativa qytetare për largimin e kryetarëve të komunave ka dështuar”, tha ai.

Pas mbylljes se procesit të votimit, reagoi menjëherë presidentja Vjosa Osmani e cila akuzoi Serbinë për ndërhyrje në zgjedhjet e një shteti tjetër. Ajo akuzoi Vuçiç se shkeli premtimin e dhënë ndërkombëtarëve.

Ishin pikërisht ndërkombëtarët që kërkuan mbajtjen e një referendumi për shkarkimin e katër kryetarëve të komunave me popullsi me shumicë serbe, me qëllim çtensionimin e situatës, por apeli i tyre nuk u dëgjua.

Mbi bazën e këtij rezultati votimi, katër shqiptarë që drejtojnë komunave me shumicë serbe do të vijojnë të qëndrojnë në detyrë. Ndërsa përsëritja e referendumit për shkarkimin e tyre mund të realizohet sipas ligjit, vetëm pas 1 viti.

Tv Klan