Qindra serbë në Beograd ndezën dje qirinj për të shënuar 1,000 ditë nga vrasja e një politikani serb të Kosovës në Janar të vitit 2018. Moti i ftohtë nuk i ndaloi që të dalin jashtë dhe të kërkojnë përpjekje më të mëdha nga autoritetet për të zbardhur krimin.

Oliver Ivanoviç u vra me armë zjarri përpara zyrës së partisë së tij në Mitrovicë, një zonë e banuar me serbë por me shumicë shqiptare.

Në mesin e njerëzve që kishin dalë për të ndezur qirinj në kishën e Shën Marko ishte edhe Dragan Djilas, kreu i Partisë së Lirisë dhe Drejtësisë, pjesë e opozitës serbe.

Djilas tha se Ivanoviç kishte qenë i gatshëm “të luftonte për interesat e Serbisë por gjithashtu të komunikonte me shqiptarët e Kosovës”.

“Është një turp që autoritetet në Kosovë dhe ato në Serbi, apo bashkësia ndërkombëtare nuk dinë asgjë konkrete edhe 1000 ditë pas asaj vrasjeje të motivuar politikisht,”  tha Djilas për agjencinë Reuters.

Pas një hetimi të gjatë, autoritetet e Kosovës kanë paditur gjashtë persona në lidhje me vrasjen e Ivanoviç, por Gjykata e Apelit të Kosovës ka urdhëruar një rigjykim.


Ka kaluar më shumë se një dekadë që kur Kosova shpalli pavarësinë, por ende rreth 40,000 serbë në veri të Kosovës refuzojnë të njohin institucionet e Prishtinës dhe vazhdojnë të shohin Beogradin si kryeqytetin e tyre. Normalizimi i lidhjeve të tensionuara me Kosovën, është një kusht kryesor për hyrjen e Serbisë në Bashkimin Evropian.

Muajin e kaluar, Beogradi dhe Prishtina ranë dakord të ndërmarrin hapa drejt bashkëpunimit ekonomik me anë të një  marrëveshjeje të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë. /tvklan.al