Filipçe: Do të mbërrijnë së shpejti në vend
Kryeministrja serbe, Ana Brnabiç ka deklaruar se Serbia dëshiron t`u ndihmojë vendeve fqinje rreth vaksinimit kundër Covid-19, duke rikujtuar se Presidenti Aleksandar Vuçiç dhe Kryeministri Zoran Zaev janë dakordësuar që Serbia t`i ndihmojë Maqedonisë së Veriut me 8.000 doza të vaksinave. Brnabiç, për televizionin serb Happy, shfaqi bindjen se do të vijnë vaksinat nga BE-ja, jo vetëm në Serbi, por edhe për të gjithë rajonin, duke rikujtuar se sa e vështirë është situata, siç tha, me “luftën” për vaksinat.
“Serbia ndihmon në regjistrimin e vaksinave të Pfizer në Maqedoninë e Veriut dhe këtij vendi, derisa të zgjidhet çështja e regjistrimit, i është ofruar që mjekët nga “zona e kuqe” të vijnë në Serbi dhe të vaksinohen këtu”.
Dozat e para të vaksinave kundër Covid-19 në vendin tonë si dhe 8.000 dozat nga Serbia do të jenë me import internenues, ka theksuar Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, duke shtuar se Ndryshimi i Ligjit për Ilaçe është për shkak të politikës globale të Pfizer që insistuan që aplikuesi për regjistrimin e vaksinave të jetë përfaqësia e tyre me seli në Holandë.
“Serbia është vendi i vetëm në gjithë rajonin ku ekziston përfaqësia lokale e Pfizer dhe në këtë mënyrë ua përshpejtoi punët. Prodhuesi Pfizer është dakordësuar që sasitë e para të vaksinave që do të arrijnë në vend, përmes marrëveshjes së drejtpërdrejtë, por edhe përmes ndihmës nga Serbia, të jenë përmes të ashtuquajturës import intervenues, për çka ekziston rregullatorë ligjore dhe për këtë nuk duhet regjistrimi”.
Autoritetet e shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, lidhur me vaksinat që duhet të arrijnë në vend përmes mekanizmit Covax, njoftojnë se më 29 Janar do të ketë një takim me përfaqësues të këtij sistemi, ku priten informacionet kur dhe sa vaksina do të arrijnë në Maqedoninë e Veriut.
Tv Klan