Ky i ri mbart me vete një histori jashtëzakonisht frymëzuese dhe mjaft tërheqëse. Ai mund të bëjë sërf edhe pa parë. I riu mbështetet vetëm tek shqisa e dëgjimit dhe ndijimit për tu marrë me këtë sport.

Ben Neumann ka humbur shikimin që në moshën gjashtë vjeçare për shkak të një defekti gjenetik.

Shtatë vjet më vonë, në moshën 13-vjeçare, ai filloi të bënte sërf dhe tani në moshën 19-vjeçare ka fituar një medalje bronzi në Kampionatin Botëror të Para Surfing dhe shpreson për një medalje të artë në Kampionatin 2024 që do të mbahet në Nëntor në Kaliforni.

Ai shpjegon për Reuters se si ja del të merret me sportin e sërfit pavarësisht mungesës së shikimit.

“Në valë, unë orientohem kryesisht përmes ndjijimit dhe dëgjimit tim. Këta dy faktorë janë vendimtarë. Kjo do të thotë që nëse përqendroheni dhe mësoni, mund të dalloni shumë nga tingulli i valës. Kjo do të thotë se mund të dallosh ku është uji i pastër, ku është më i turbullt, si ndryshon tingulli ?Dhe kjo gjithashtu ndryshon në varësi të vendit ku jeni në valë. Dhe pika e dytë është ndijimi, çfarë lloji reagimi marr nëse e vendos dorën në ujë për të ndjerë valën dhe për të parë nëse po përshpejtoj apo po ngadalësoj.”

Së bashku me babanë, i cili i tregon atij përmes një kufje kur dhe ku po vjen një valë, Ben stërvitet për konkursin në një pishinë të sapondërtuar në Mynih në Gjermaninë Jugore.

Familja e tij jeton në Garmisch-Partenkirchen pranë kufirit austriak, rreth 90 kilometra në jug nga Mynihu.

“Pishina ofron një mjedis shumë të kontrolluar dhe të parashikueshëm, i cili është shumë i këndshëm, veçanërisht për një serfist të verbër, sepse ju mund të punoni shumë mirë në aspekte teknike individuale. Kjo është arsyeja pse trajnimi në pishinë për këtë konkurs është shumë efektiv. Sidoqoftë, surfing -u i përket detit dhe është thjesht tepër bukur të jesh në det dhe të kesh këtë përvojë të natyrës me ty”.

 I riu e shef sportin e sërfit si një lloj terapie për të.

“Në një farë mënyre, surfing është edhe terapi për mua. Të qenit aktiv, mundësia për të arritur diçka për veten time, për tu marrë sport, për të parë se çfarë mund të arrij, më jep edhe vetëbesim dhe me këtë vetbesim unë mund të përballem me botën në jetën time të përditshme.”

Për të e rëndësishme në këtë garë është sa përgatitja psikologjike po aq edhe ajo fizike.

“Është e rëndësishme të kuptoni pengesat dhe këtu hyn në lojë motoja ime ” Nuk ka limite” sepse në të vërtetë ato janë në kokën tuaj. Kjo do të thotë gjithashtu se kur hasni pengesa, dhe të gjithë bëjnë në një mënyrë apo tjetër, është e rëndësishme për të vazhduar me shpirt dhe motivim për të gjetur zgjidhje dhe për të qenë kreativ. Pas kësaj çdo gjë është më e mundur se sa e kishit menduar në fillim.”

Babai i sërfistit gjerman kujton momentet kur djali i tij humbi shikimin dhe si familja e tyre mundi të kalonin këtë situatë të vështirë në jetën e tyre.

“Për prindërit, natyrisht, është një fatkeqësi në fillim të mësosh se fëmija yt është i verbër. Është e qartë se bota shembet pak në fillim. Megjithatë, ne si familje u përpoqëm të vazhdojmë jetën në një mënyrë të arsyeshme dhe normale pasi ishte gjithashtu një ditë tjetër e re për Benin në fund të fundit.”

Qëllimi i rradhës së sërfistit gjerman janë Lojërat Paralimpike 2028 ku ai synon të marrë një medalje e cila mund t’i shtohet koleksionit të tij.

Klan News