Presidenti Begaj u bën thirrje deputetëve që të nisin një periudhë të re bashkëpunimi e dialogu në shërbim të shqiptarëve në vend, në Diasporë dhe në rajon.

“Në çdo hap që kemi hedhur, çelësi i suksesit ka qenë i qartë. Ai qëndron te dialogu politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirja. Roli i Kuvendit është i pazëvendësueshëm edhe për përmirësimin e cilësisë së drejtësisë dhe luftës kundër korrupsionit”, tha Bajram Begaj.

Në fokus të mesazhit presidencial ishte zhvillimi i një procesi zgjedhor të drejtë e të sigurt dhe sipas standardeve të OSBE-ODIHR-it më 11 Maj.

“Le të përpiqemi t’i japim vendit një proces zgjedhor të drejtë e të sigurt, ku të garojnë alternativat, ku votuesi të respektohet, ku vota të shërbejë për të zgjedhur, ku fituesi reflekton modesti e përgjegjësi, dhe humbësi vetëpërmbajtje. Cilësia e zgjedhjeve duhet të tejkalojë çdo ndasi e të mbizotërojë mbi çdo interes partiak”, tha Begaj.

Begaj vlerëson hapjen e negociatave.

“Viti që lamë pas shënoi një moment historik për rrugëtimin e saj: çeljen e negociatave teknike me Bashkimin Evropian. Kuvendi duhet të kontribuojë në thellimin e reformave që përafrojnë legjislacionin tonë me acquis communautaire”, tha Begaj.

Për Begajn, situatat gjeopolitike ju kujtojnë shqiptarëve se kanë nevojë për cilësi të demokracisë, stabilitet ekonomik e politik. Ai shpreh mirënjohjen për deputetët që u dhanë mundësi shqiptarëve të Diasporës të përfshihen në jetën politike të vendit dhe të kontribuojnë me votë për të mirën e përgjithshme.

Klan News