Kur kanë mbetur dhe pak javë nga përfundimi i procesit të regjistrimit të diasporës për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit, Kryeministri Edi Rama u ka bërë sërish thirrje të gjithë qytetarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë dhe që kanë të drejtë vote sipas dokumenteve që disponojnë.
Nga selia e Partisë Socialiste, përmes një postimi në rrjetet sociale në rubrikën “Ç’kemi ndonj1 të re”, Kryeministri Rama rikujtoi të gjithë shqiptarët që të nxitojnë për të plotësuar regjistrimin në mënyrë që të bëhen pjesë e një votimi historik ku diaspora voton për herë të parë.
“Mirëmëngjes edhe njëherë, sepse, një herë ju përshëndeta me shkrim, tani këtu nga Partia Socialiste, 22 ditë nga përfundimi i regjistrimit të zgjedhësve në diasporë. 11 Maj do të jetë një votim historik, edhe për faktin se për herë të parë, shqiptarët e Europës dhe mbarë botës do të votojnë nga jashtë kufijve, nga aty ku janë, me postë. Por kush do të bëhet pjesë e kësaj historie të re për demokracinë tonë duhet të regjistrohet deri në 4 Mars, sepse votimi bëhet me postë dhe koha për t’ia çuar fletën e votimit në shtëpi çdo zgjedhësi me një zarf të parapaguar dhe për kthimin është kohë e domosdoshme”, thotë Edi Rama.
Sipas kreut të qeverisë, rezultati që ofron deri më tani procesi i regjistrimit të qytetarëve që jetojnë jashtë duket premtues dhe beson se fjala e tyre do të ndikojë në të ardhmen e Shqipërisë, të cilën kryeministri e sheh të respektuar nga Europa si asnjëherë më parë.
“Deri më tani numri i rezultatit është premtues, por padiskutim, mund dhe duhet të jetë shumë më i madh akoma. Fjala e çdo shqiptari jashtë kufijve vlen. Gjykimi i çdokujt që e sheh progresin e Shqipërisë sonë të përbashkët nga një distancë e arsyeshme vlen dhe unë mezi pres në fakt që të shoh se cili do të jetë gjykimi i shqiptarëve e shqiptareve të Europës e të botës, për Shqipërinë e çliruar nga hija e zezë e paragjykimeve e deridjeshme për Shqipërinë e respektuar nga Europa e nga bota si asnjëherë më parë, për Shqipërinë që në mandatin tonë të katërt do të hedhë hapin përfundimtar të anëtarësimit në Bashkimin Europian”, tha Rama.
Në fund, Kryeministri Rama thekson se një proces i tillë nuk duhet vonuar e të lihet për ditën e fundit, duke inkurajuar të gjithë qytetarët me të drejtë vote të bëhen pjesë e një momenti historik në rrugën drejt demokracisë, në mënyrë që Shqipëria, falë kontributit të tyre të bëhet pjesë e familjes së bashkuar europiane, krahas 27 vendeve të tjera anëtare të Bashkimit Europian.
“Regjistrohuni, regjistrohuni, regjistrohuni, dhe mos e lini për ditën e fundit, kur edhe mund të ngarkohet faqja e KQZ-së e të bëhet pastaj shumë më e vështirë. Është fare e thjeshtë, nga kompjuteri ose nga telefoni, disa minuta për t’u bërë pjesë e një momenti historik në rrugën e demokracisë sonë për të marrë pjesë në zgjedhjet e 11 Majit ku të gjithë së bashku do ta çojmë përpra Shqipërinë drejt majës së shumë ëndërruar të 2030-tës, ku do të ngulim flamurin shqiptar në rreshtin e 27 flamujve të tjerë të familjes së bashkuar”, tha Rama.
Kujtojmë se procesi i regjistrimit, të njoftuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për të gjithë shqiptarët që jetojë jashtë Shqipërisë është deri më 4 Mars. /tvklan.al