Kur na ndajnë edhe 22 ditë nga afati që emigrantët kanë për t’u regjistruar me qëllim që të votojnë në zgjedhjet e 11 Majit, Kryeministri Edi Rama i është drejtuar me një apel atyre, që të regjistrohen sa më parë dhe mos ta lënë për ditët e fundit, pasi edhe sistemi mund të ketë probleme.

Në rubrikën e tij “Sy më Sy”, kreu i qeverisë shqiptare tha se zgjedhjet e 11 Majit do të jenë historike edhe për faktin se për herë të parë voton edhe diaspora.

“Për herë të parë, shqiptarët e Europës dhe mbarë botës do të votojnë nga jashtë kufijve, nga aty ku janë, me postë. Por kush do të bëhet pjesë e kësaj historie të re për demokracinë tonë duhet të regjistrohet deri në 4 Mars, sepse votimi bëhet me postë dhe koha për t’ia çuar fletën e votimit në shtëpi çdo zgjedhësi me një zarf të parapaguar dhe për kthimin është kohë e domosdoshme. Deri më tani numri i rezultatit është premtues, por padiskutim, mund dhe duhet të jetë shumë më i madh akoma”, tha Edi Rama.

Kryeministri shprehet se fjala e çdo shqiptari që jeton jashtë vlen, ndaj thekson që mezi pret gjykimin e tyre. Rama premton se në mandatin e katërt ai do të anëtarësojë Shqipërinë në Bashkimin Evropian.

“Fjala e çdo shqiptari jashtë kufijve vlen. Gjykimi i çdokujt që e sheh progresin e Shqipërisë sonë të përbashkët nga një distancë e arsyeshme vlen dhe unë mezi pres në fakt që të shoh se cili do të jetë gjykimi i shqiptarëve e shqiptareve të Europës e të botës, për Shqipërinë e çliruar nga hija e zezë e paragjykimeve e deridjeshme për Shqipërinë e respektuar nga Europa e nga bota si asnjëherë më parë, për Shqipërinë që në mandatin tonë të katërt do të hedhë hapin përfundimtar të anëtarësimit në Bashkimin Europian”, tha Rama.

Deri tani kanë aplikuar online pranë KQZ-së më shumë se 145 mijë zgjedhës, ndërkohë që regjistrimi zgjat deri më datë 4 Mars.

Klan News