Kryeministri Edi Rama ka sfiduar të gjithë ata që thonë se qeveria është vonuar me procesin e rindërtimit që të thonë se cili vend ka rindërtuar më shpejt se Shqipëria. Ai u shpreh këtë të martë gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët se procesi i rindërtimit pati një shtyrje për shkak të pandemisë.
“U kam kërkuar bashkive që të bëjnë kontratë me ata që presin një apartament. Ne për fat të keq pas tërmetit na hyri në mes Covid me gjithë atë periudhë marramendëse bllokimi. Duke qenë se në këtë proces kemi shumë aktorë të huaj, u bllokuan veprimet, por procesi pati një shtyrje. Unë i sfidoj të gjithë që të më tregojnë një vend që ka mundur të rindërtojë më shpejt, po ka shpejt unë di, por më shpejt le të ma tregojnë për ata që thonë u vonuam etj.”, tha Rama.
Kryeministri u shpreh se asnjë qytetar nuk ka ngelur përjashta gjatë rindërtimit.
“Ndërkohë që rindërtojmë nuk kemi lënë asnjë njeri përjashta. Nuk është e njëjta si të jetosh me qira si në shtëpinë tënde, por të gjitha familjet e Durrësit që për shkak të tërmetit nuk janë sot akoma në apartamentin e tyre dhe presin që t’u ndërtohet i riu të thotë që unë jam jashtë. Asnjë, të gjithë janë në apartamente. Në momentin e parë kemi kemi pasur në çadra 11 mijë e 200 familje. Sot në çadër kemi 683 familje. Ata marrin bonusin e qirasë. Është zgjedhja e tyre që të rrinë në çadër. Janë afër ish-shtëpisë së tyre, kanë gjënë e gjallë, kanë tokën që nuk iu del llogaria që të ikin në qytet, por marrin një për një bonusin e qirasë, njësoj si këta të tjerët në apartamente”, tha Rama./tvklan.al