Ministrja e Arsimit Besa Shahini ka vijuar me publikimin e videove sensibilizuese që përcjellin mesazhe të qarta në lidhje me domosdoshmërinë e përshtatjes ndaj rregullave të distancimit fizik gjatë rikthimit në shkollë.

“Lëvizjet brenda shkollës mund të bëhen vetëm me maskë dhe sipas rregullave të distancimit fizik. Kështu mbrojmë veten dhe të tjerët”, shkruan në Facebook ministrja Shahini për sa i përket mënyrës së lëvizjeve brenda ambienteve të shkollës.

Lëvizja e nxënësve në klasa, laboratorë, palestra dhe nëpër korridore do të jetë përcaktuar në mënyrë të tillë që çdo zonë të ketë numrin më të vogël të individëve që lëvizin në të, ndërsa rregullat për lëvizjen e nxënësve do të jenë të afishuara në ambientet e brendshme të shkollave.

Qëndrimet nëpër korridore nuk janë të lejueshme, teksa gjatë lëvizjes në korridore nxënësit duhet të respektojnë dhe mbajnë largësinë minimale prej të paktën 1.5 metrash nga njëri-tjetri.

Ndërkohë, komunikimi në rast nevoje i nxënësit me drejtuesit, sekretarinë dhe stafin mësimor do të kryhet nëpërmjet mësuesit përgjegjës të katit, duke respektuar distancimin fizik dhe rregullat e tjera. /tvklan.al