Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në një takim përfaqësues të autoriteteve vendore suedeze dhe Fondacionit ndërkombëtar “Olof Palme”, i cili prej vitesh mbështetet lëvizjet solidare në Shqipëri.
“Jam vërtet mirënjohës sepse kemi bërë punë të jashtëzakonshme, edhe me kontratën sociale, edhe me grupet e interesit, kanë qenë këto politika të majta që na kanë çuar drejt këtyre vendimeve, si: Transporti falas për studentët, pagesa e gjysmës së konvikteve për studentët nga Bashkia e Tiranës, aksesi në teknologji dhe trajnimet në qendrën “TUMO”, të paguara prapë nga Bashkia e Tiranës, transporti falas për pensionistët nga nga 1 janari i vitit tjetër, prapë e paguar nga Bashkia e Tiranës, dhe nga shtatori tjetër ushqim falas për fëmijët në shkolla. Këto janë politikat e majta, ndaj besoj fort se partneriteti me “Olof Palme” ka qenë një mundësi për të parë eksperiencat më të mira.”
Veliaj theksoi se eksperienca e marrë nga vendet skandinave ka shërbyer që Bashkia e Tiranës të integrojë në vendimmarrjet e saj, politika të mirëfillta që kanë si synim barazinë sociale.
“Tani jemi duke menduar sesi do të bëjmë qendrën më të madhe në Ballkan për të ndihmuar fëmijët e spektrit autik. Ne mund të subvencionojmë edhe transportin, edhe konviktet, edhe ushqimin, ndaj them se ia ka vlejtur investimi dhe eksperienca që kemi marrë nga vendet skandinave, por sidomos nga Suedia dhe fondacioni “Olof Palme”, për të injektuar edhe në nivelin lokal politika të mirëfillta që ndihmojnë njerëzit më shumë në nevojë.”
Kryebashkiaku Erion Veliaj u shpreh se falë projekteve të shumta, bashkëpunimi me Suedinë do të thellohet më tej.
Klan News