700 nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Avni Rustemi” në Njësinë 10 e nisën vitin shkollor në ambiente të reja. Në ditën e parë të shkollës, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se investimi në shkolla, kopshte dhe çerdhe është prioritet sepse një mjedis i mirë dhe modern ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e mësimdhënies dhe në motivimin e nxënësve.
“Edhe pse unë e besoj fort se mësuesit janë thelbi, kur vjen në një mjedis të mirë, të pastër, të ndriçuar, me kushte moderne, sigurisht që puna e mësuesit bëhet më e lehtë, por edhe nxënësit vijnë me më shumë kënaqësi në shkollë. Këtë javë do të hapim një seri shkollash të reja.”
Sipas Veliajt, për të çuar përpara investimet dhe projektet e reja për Tiranën, ia vlen çdo betejë.
“Nëse nuk funksionojmë si një familje për të dhënë dashuri dhe për ta mbështetur këtë mision, atëherë nuk funksionon. Kjo është arsyeja pse për të disatin vit i dërgoj çdo nxënësi personalisht një letër, për t’iu thënë se për mua ata janë më të rëndësishmit. Nuk janë as politikanët, as analistët, as ata që japin komente nga divani. Aleancën kryesore e kam me çunat dhe gocat e këtij qyteti sepse besoj se gjeneratat e ardhshme janë më të rëndësishme se zgjedhjet e ardhshme. Zgjedhjet shkojnë e vijnë, gjenerata është vetëm një herë.”
Sipas kryebashkiakut Veliaj, falë investimeve të bashkisë në total janë ndërtuar 45 shkolla, ndërsa vitin tjetër pritet t’i shtohen edhe 10 shkolla të tjera.
Tv Klan