Më shumë se 60 milionë amerikanë janë nën pushtetin e stuhisë së madhe dimërore Blair që ka sjellë temperatura deri në -20 gradë Celsius dhe rreshje të mëdha bore.

Gjendja e jashtëzakonshme është shpallur deri më tani në shtatë shtete, Kansas, një nga zonat më të goditura, Misuri, Kentaki, Virxhinia, Virxhinia Perëndimore, Arkansas dhe disa pjesë të Nju Xhersit.

Mijëra fluturime janë anuluar, ndërsa autoritetet kanë mbyllur shkollat si dhe disa rrugë për shkak të ngricave. Parashikuesit thonë se moti ekstrem po shkaktohet nga një vorbull polare që po qarkullon rreth Arktikut duke sjellë mot të ftohtë në SHBA-në qendrore.

Stuhia ka filluar të lëvizë drejt bregut lindor të SHBA-së, me disa pjesë të Virxhinias, Marylandit, Uashington DC dhe Delaëare. Në disa shtete më shumë se 150 mijë banorë kanë mbetur pa energji elektrike. Në disa akse rrugore u rregjistruan edhe aksidente.

Guvernatori i Indianës Eric Holcomb ka aktivizuar Gardën Kombëtare në shtetin e tij për të ofruar mbështetje për njerëzit. Gjithashtu nën paralajmërim për mot të keq është edhe Kanadaja. Në provincën qendrore të Manitobës është rregjistruar temperatura më e ulët deri në -40 gradë Celsius.

Shërbimi Kombëtar i Motit ka bërë të ditur se kushtet ekstreme të motit do të vijojnë edhe për disa ditë të tjera, ndërsa autoritetet kanë bërë thirrje njerëzve që të shmangin udhëtimet.

KIan News