Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shprehur shqetësimin e thellë për përkeqësimin e situatës në Gaza. Sekretari i Shtetit i SHBA, Anthony Blinken dhe Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin me anë të një letre drejtuar ministrave izraelit Galant dhe Dermer i kanë vendosur afat prej 30 ditësh për përmirësimin e situatës humanitare në Gaza, si dhe t’i japim fund izolimit të Gazës veriore. Në të kundërt do t’i kufizohen ndihmat ushtarake nga qeveria amerikane.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Matthew Miller duke konfirmuar letrën thekson se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë kundër bombardimeve masive në zonat me popullsi të dendura në Liban.

Kjo është hera e parë që administrata Biden ka thënë publikisht se e kundërshton atë aspekt të operacionit izraelit kundër Hezbollahut në Liban. Në sulmin më të fundit në veri të Libanit, ushtria izraelite gjatë bombardimeve vrau 41 persona dhe plagosi 124 të tjerë.

Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i Hezbollahut, Naim Qassem u ka bërë thirrje izraelitëve të pranojnë një armëpushim në Liban ose të përballen me “dhimbje”. Ndërsa paralajmëroi se nëse Tel Avivin sulmon gjithë Libanin, do të kundërpërgjigjen me njëjtën monedhë, duke sulmuar gjithnjë e më thellë Izraelin.

Tv Klan