Ushtarët e parë amerikanë tashmë kanë mbërritur në Izrael. Ata do të angazhohen në manovrimin e një sistemi të përparuar anti-raketë që do të jetë plotësisht funksional në të ardhmen e afërt. Janë përgatitjet e fundit para se Izraeli të hakmerret ndaj Iranit, por kjo gatishmëri amerikane mbetet pezull.

Në sfondin e paralajmërimeve europiane për embargo armësh dhe pezullim të marrëveshjeve të tregtisë së lirë, vjen dhe kërcënimi nga Uashingtoni.

SHBA-ja i ka shkruar qeverisë izraelite dhe i dha ultimatum 30 ditor: Rrisni urgjentisht sasinë e ndihmave humanitare në Gaza ose do të përballeni me ndërprerjen e ndihmës ushtarake amerikane. Qeveria izraelite synon të vdesë urie militantët e Hamasit në veri të Gazës dhe të pushtojë territorin, por aty ndodhen edhe të paktën një milion civilë palestinezë.

Letra amerikane përmban paralajmërimin më të fortë me shkrim të administratës Biden për aleatin e saj, që vjen pasi sulmit të Izraelit në Gazën Veriore me pasoja katastrofike prej qindra të vdekurish.

Letra e dërguar dy ditë më parë, është nënshkruar nga Sekretari i Shtetit i Anthony Blinken dhe ai i Mbrojtjes Lloyd Austin. Ata thonë se SHBA-ja është “thellësisht e shqetësuar” për “përkeqësimin e situatës humanitare” në Gaza. Letra nënvizon se muajin e kaluar Izraeli mohoi ose pengoi gati 90% të lëvizjeve humanitare midis veriut dhe jugut të Gazës, ndërsa urdhrat e evakuimit kanë detyruar 1.7 milion njerëz të qëndrojnë në një rrip të ngushtë toke me “rrezik të lartë infektimi nga sëmundje vdekjeprurëse”.

Letra kërkon “veprime urgjente dhe të qëndrueshme nga qeveria këtë muaj për të ndryshuar këtë trajektore” dhe shton: “Izraeli duhet, duke filluar tani dhe brenda 30 ditëve të veprojë me një sërë masash konkrete për të rritur furnizimet me ndihma, duke shtuar se dështimi mund të ketë implikime për politikën e ShBA-së”.

Ligjet amerikane ndalojnë ndihmën ushtarake për vendet që pengojnë dërgimin e ndihmës humanitare amerikane. Uashingtoni i kërkon gjithashtu Izraelit t’i japë fund “izolimit të Gazës Veriore” duke riafirmuar se nuk do të lejojnë “asnjë politikë të qeverisë izraelite për evakuim të detyruar të civilëve” nga veriu në jug.

Por Izraeli vijon sulmet ndaj civilëve. Të paktën 50 palestinezë u vranë në mbarë Rripin e Gazës, ndërsa forcat izraelite forcuan rrethimin e tyre ndaj kampit Jabalia në veri të enklavës, ku po zhvillohen beteja të ashpra me luftëtarët e Hamasit.

Ahmed Al-Kahlout nga Mbrojtja Palestineze tha se viktimat po tërhiqen nga ndërtesat dhe nga rrugët rreth kampit Jabalia. Ky kamp ka qenë në qendër të ofensivës izraelite për mbi 10 ditë.

Operacioni ka ngritur shqetësime mes palestinezëve dhe agjencive të OKB-së pasi u zbulua plani i Izraelit për të shpërngulur banorët nga veriu i enklavës. Banorët thanë se forcat izraelite shkatërruan dhjetëra shtëpi në 10 ditët e fundit.

Klan News