Me vetëm një javë të mbetur deri në zgjedhjet në SHBA, qindra mijëra fletë votimi janë sjellë në qendrat e përpunimit të votave anembanë vendit.
Në një qendër të përpunimit të votave në Kaliforninë jugore, punonjësit e zgjedhjeve kanë nisur përpunimin dhe numërimin e fletëve të votimit të votuesve të kontesë së Los Anxhelosit.
Sipas regjistruesit të qarkut të Los Anxhelosit, nëpunësit të qarkut Dekan Logan, siguria dhe transparenca janë përparësia e tyre kryesore me afrimin e ditës së zgjedhjeve.
“Ka masa të shtuara sigurie për procesin zgjedhor. Ne duam të jemi të sigurt që votuesit kanë besimin se kemi një proces që do t’i mbrojë ata, stafin tonë dhe gjithashtu fletëvotimet e tyre. Pjesa e parë e procesit është që njësitë t’i skanojnë ato fletë votimi për të identifikuar nëse ka ndonjë produkt ose substancë të dyshimtë në të.”
Deri më tani sipas Logan janë më shumë se tre milionë fletë votimi. Sherifi i kontesë së Los Anxhelosit, Robert Luna shprehet se deri më tani nuk ka raporte për kërcënime për zgjedhjet.
“Siguria e zgjedhjeve është një prioritet kryesor për ne në qarkun e Los Anxhelosit dhe ne jemi të përkushtuar ndaj një procesi të drejtë pa frikësime ose pa ndërhyrje. Megjithatë, dua të them se nuk ka kërcënime këtu në Los Angeles për vendet e votimit ose punonjësit tanë, por ne po vazhdojmë të monitorojmë situatën.”
Më shumë se 51 milionë votues kanë hedhur tashmë votat e tyre. Disa shtete, si Karolina e Veriut dhe Xhorxhia, kanë raportuar se pjesëmarrja e tyre e hershme e votuesve po vendos rekorde këtë cikël zgjedhor.
Katër vjet më vonë, Zëvendëspresidentja Kamala Harris dhe ish-Presidenti Trump aktualisht kanë një diferencë shumë të ngushtë në sondazhe në shtetet kryesore ku pjesëmarrja mund të bëjë ndryshimin.
Klan News