Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një deklaratë për mediat është ndalur edhe tek refuzimi i Partisë Socialiste për shtyrjen e afateve për votën e diasporës.
Berisha është shprehur se Rama është i pashpresë në zgjedhjet e 11 Majit.
“Refuzimi kategorik i Edi Ramës dhe përfaqësuesit të tij, Damian Gjiknuri, dëshmon frikën dhe tmerrin që i ka kapur ata dhe partinë e tyre të krimit nga vota e lirë e shqiptarëve jashtë vendit. Ky refuzimi është një shkelje madhore e Kushtetutës së vendit. Ky refuzim është përjashtimi nga e drejta e votimit e të paktën sipas shifrave zyrtare, të 500 mijë, por shifrat e tjera flasin për 800 mijë shqiptarë jashtë vendit, të cilët i kanë pasur dokumentet e skaduara. Pa përfshirë këtu qindra mijëra të tjerë, të cilët nuk disponojnë dokumente të lëshuara në Shqipëri, por disponojnë dokumente zyrtare biometrike të rregullta të lëshuara në vendet ku ata jetojnë. Me këtë vendim, Edi Rama firmos turpin e tij historik. Me këtë vendim ai dëshmon se është i pashpresë në zgjedhjet e 11 Majit”, raporton Berisha.
Ndër të tjera Berisha ju ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve që të shfrytëzojnë orët e fundit që kanë mbetur për regjistrimin e tyre dhe marrjen pjesë në këto zgjedhje.
“Shfrytëzoj këtë rast për t’u bërë thirrje të gjithë shqiptarëve këto orë që kanë mbetur t’i shfrytëzojnë për regjistrimin masiv të tyre, edhe në një akt ndëshkimi për njeriun që ka fobi të tmerrshme nga vota e tyre. Ndërkohë, thirrja e fundit është për përfaqësuesit e tij në entin rregullator të KQZ, të kundërshtojnë vendimin e Edi Ramës, të votojnë me përfaqësuesit e opozitës, se në këtë mënyrë ata do ngrihen në lartësinë e Kushtetutës së vendit dhe nuk do bëhen mercenarë për të përjashtuar në tërësi mbi 500 mijë shqiptarë nga e drejta e votimit. Ky është një akt i pashembullt në historinë elektorale, ndaj dhe debati zhvillohet në rregullatoren e KQZ-së, ftoj përfaqësuesit e PS të tregohen socialistë të vërtetë dhe jo përfaqësues të partisë së krimit të Edi Ramës që ka frikë dhe tmerr nga vota e shqiptarëve”, tha Berisha./tvklan.al