Kryetari i partisë “Mundësia” Agron Shehaj ka rreshtuar sonte në “Opinion” ato që sipas tij janë skandale të kësaj qeverie vetëm në muajt e fundit. E teksa u ndal te korrupsioni, ai iu drejtua socialistit Plarent Ndreca duke i thënë se ka shkuar në SPAK dy muaj më parë. Ky i fundit argumentoi se është nënkryetar i një komisioni hetimor dhe si i tillë ka për detyrë të japë llogari dhe të përgjigjet sa herë thirret nga prokurorët.


Agron Shehaj: Mirë opozita qenka kaq e mbaruar, po mazhoranca kaq e paparë qenka?! Thjesht mendova skandalet e muajve të fundit.

-Pa numëroji!

Agron Shehaj: Skandali i mikrokredive, mbi 100 mijë qytetarë janë vjedhur. Janë vjedhur fondet e BE. Drejtuesi i bankës vazhdon të jetë aty, ministri aty. Trafiku i plehrave, këto janë skandale që kanë ndodhur vetëm muajt e fundit. Këta fitojnë zgjedhjet sepse imagjino të kesh një thes të jashtëzakonshëm me para që vazhdimisht mbushet. Se këto skandalet që përmenda unë, nuk është se këta janë të këqinj e nuk duan njerëzit. Thjesht, çështje parash! Ju duhen para sepse kjo është mënyra që mbajnë pushtetin. Është një sistem i ngritur, ndërkohë opozita me shpatulla pas murit. Skandali tjetër është Onkologjiku.

Doli një rast, çmenduri. Një zotëri ka marrë live një televizion dhe ka lënë me gojëhapur prezantuesit. Ka thënë djali im ishte me tumor, po kurohej te Onkologjiku dhe një ditë të bukur i thanë kanë mbaruar ilaçet. “Nuk kemi, do të të marrim në telefon kur të vijnë prapë”. Dhe tha “djali im vdiq sepse i ndërprenë kurën”, me emër dhe me mbiemër. E kam bërë publike në Parlament dhe në rrjete sociale. Zotëria ishte i trembur, nuk donte…Kur trembet një njeri që ka humbur djalin, se mund të jetë në kushte të vështira ekonomike. Kjo është arsyeja pse këta fitojnë, paratë dhe frika. Nuk ka nevojë për shpëtimtarë, janë zgjedhjet. Këtu korrupsioni është gjithandej, zotëria që më kundërshton mua këtu është pjesë e Komisionit Hetimor mbi Shëndetësinë. Zotëria ka qenë te SPAK-u para dy muajsh dhe mediat raportojnë se është nën hetim. Unë nuk e di, nuk është sqaruar kjo gjë.

Plarent Ndreca: E çfarë problemi ka këtu?

Agron Shehaj: Kryetari i komisionit është thirrur…

Plarent Ndreca: E para jam nënkryetar se zemërohet Albana. Është çështje nën hetim dhe nuk është çudi fare. Njerëzit që kanë punuar zotëri…

Agron Shehaj: Edhe kanë vjedhur! Ç’a banaliteti është ky?!

Plarent Ndreca: A e hodhe shashkën? Mos më trego mua se unë jam jurist. A e hodhe o zotëri? Mua s’ma shpjegon dot. Për këtë e kemi krijuar SPAK-un që të gjithë njerëzit që kanë firmosur të shkojnë e të japin llogari për çfarë kanë firmosur. Ata që janë papunë s’kanë çfarë bëjnë në SPAK se nuk i thërret njeri. Unë do jap llogari si çdo qytetar dhe shyqyr që ia arritëm kësaj dite. Unë dhe kushdo tjetër të shkojmë në SPAK sa herë të na thërrasin. Fakti që përbën lajm lidhet me kulturën e mëparshme se nuk shkonte kush, nuk ekzistonte kjo. Ki durim zotëri!

/tvklan.al