12,417 humbje jete në 24 orë
Mbeten të larta shifrat e pandemisë në nivel global. Edhe në këtë 24 orësh më shumë se 12 e 400 mijë persona humbën jetën në mbarë botën si pasojë e koronavirusit, ku shtetet e Bashkuara të Amerikës vijojnë të kenë edhe numrin më të lartë të viktimave, por edhe të infektimeve. Autoritetet amerikane raportuan për më shumë se 2900 jetë të humbura dhe mbi 100 mijë infektime.
Një nga shtetet e tjera që po përballet me një situatë të vështirë me pandeminë është edhe Meksika, e cila vijon të ketë një numër të lartë viktimash. Vetëm në 24 orët e fundit u regjistruan më shumë se 1400 humbje jete.
Por ndërsa përtej oqeanit shifrat mbeten të larta, në Europë vijon trendi rënës. Kështu edhe për këtë 24 orësh shifrat e jetëve të humbura dhe infektimeve ne shumicën e vendeve ishte në ulje. Britania raportoi për 758 viktima dhe rreth 15 mijë infektime, ndërkohë që gjermania për 523 humbje jete dhe 9200 raste te reja, një shifër kjo dukshëm më e ulët sesa shifrat e regjistruara gjatë muajit janar.
Një qetësim ka pësuar pandemia edhe në Itali, ku sërish u regjistruan shifra të ulëta infektimesh dhe viktimash. Autoritetet italiane të shëndetësisë raportuan 316 viktima dhe afro 14 mijë infektime.
Tv Klan