Policia e Shtetit nuk fal askënd. Tashmë kanë nisur dhe kontrollet në urban, ku janë ndëshkuar disa qytetarë që nuk kanë zbatuar rregullat kundër Covid.
Autoritetet njoftojnë se gjatë kontrolleve, në orët e pikut të ngarkesës, kryesisht në kryeqytet janë konstatuar mangësi dhe neglizhencë në përdorimin e barrierave mbrojtëse, si nga drejtuesit, ashtu edhe nga pasagjerët. Krahas këshillimeve nuk kanë munguar masat ndëshkuese për pasagjerë apo drejtues mjetesh që nuk mbanin barrierën mbrojtëse në mjetet e transportit publik.
Përgjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin, në linjat urbane dhe interurbane janë ndëshkuar me masë administrative me nga 3.000 Lekë, 283 shtetas, nga të cilët 85 në Tiranë.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve dhe pasagjerët që të respektojnë me rigorozitet masat kufizuese anti-Covid./tvklan.al