Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ka kërkuar nga të gjithë të respektojnë masat kundër Covid, si ato që janë në fuqi dhe ato që janë shpallur dhe do të nisin nga nesër. Ministrja u shpreh se Task-Forca kundër Covid do të jetë në terren 24 orë në ditë dhe do të ndëshkohet çdo kush që thyen rregullat e vendosura.
Më tej Manastirliu tha se dy javët e ardhshme do të jenë vendimtare, ku do të shihet nëse do të ketë lirim masash apo shtrëngim të mëtejshëm të tyre.
“Për rregullat aktualisht, për masat ekzistuese, si dhe për masat e reja nuk do të ketë asnjë tolerancë apo të zbatimit të protokolleve anti-Covid. Task-Forca do të jetë në terren 24 orë për të siguruar respektimin e masave.
Dy javët e ardhshme janë vendimtare dhe të gjithë duhet të tregohen të kujdesshëm. Zbatimi i masave në dy javët ardhshme do të vendos, nëse do të kemi shtrëngim të masave apo lirim të tyre. Në piramidën e të drejtave shëndeti ka qenë është dhe do të jetë në majë. Ndaj tre janë fjalët kyçe për pandeminë, mobilizim, respekt dhe përkushtim.
Ju ftoj edhe njëherë që ta marrim me seriozitetin e duhur këtë situatë, të gjithë mund të jenë lodhur, por virusi nuk është lodhur dhe ai është nëpër këmbë kudo. Virusi bën festë sa herë që ne ulim vigjilencën. Lufta vazhdon dhe jemi në mes të kësaj lufte”, deklaroi ministrja./tvklan.al