Sot në rubrikën “Shihemi në Gjyq” në Tv Klan juristja e njohur Eni Çobani është prekur mjaft me çështjen që është trajtuar. Një gjysh dhe një gjyshe kanë ardhur për të treguar historinë e djalit dhe nuses së tyre e cila e braktisi sapo kuptoi që bashkëshorti vuante nga një sëmundje e rëndë. Ajo mori djalin e porsalindur dhe shkoi tek prindërit e saj duke mos kthyer kokën mbrapa. Nusja e quajtur Enejda kërkoi divorcin dhe me marrëveshje e lanë që kujdestarinë e djalit ta merrte babai. Enejda shkon tek zyra e avokatit që babi i djalit kishte punësuar dhe i lë djalin mbi karrige. Ajo gjithashtu ka kërkuar nga avokati edhe pagesën për 5 muaj që është kujdesur për të birin. Eni Çobani përveçse shprehet e indinjuar për këtë gjest që një nënë ka bërë për fëmijën e saj por edhe me avokatin i cili duhet ta denonconte këtë rast sepse divorci nuk ishte dhënë ende dhe nënës i takonte të mbante të birin deri në ditën që kujdestaria t’i kalonte të atit.

“Përsa i përket avokatit Hamataj që përmendët, është avokati i djalit tuaj, jo i Enejdës. Ermali në momentin që ka vajtur fëmija dhe i është lënë në stolin e dhomës së avokatisë, ai duhet të ishte ngritur në këmbë dhe duhet të kishte shkuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier, të denonconte braktisjen e fëmijës së mitur. Si mundet të vijë dikush këtu, të lërë fëmijën dhe të thotë zonja Eni unë po largohem, fëmijën ta mbajë vjehrra dhe të më paguajë e 5 muaj që e kam mbajtur.

Po si mundet! Gjyshja e ka marrë në krahë dhe e ka çuar në shtëpi tek Dervishi. Është një histori e pabesueshme Ardit, tejet asaj që ne mund të kemi pritshmëritë tona që mund të ndodhin, kjo është e pabesueshme. Zonja Engjëllushe ju flisni, por sinqerisht ju them nuk arrij dot ta mendoj që në vendin tonë të vogël të ketë gra, zonja, nëna që të lërë fëmijën atje, të kërkojë 5 muaj pagesë dhe avokati të rrijë aty dhe të mos e denoncojë. Divorci nuk ishte bërë Ardit, kur është lënë fëmija në karrigen e zotit Hamataj, nuk ishte bërë divorci.

Ermal, ju keni pasur të drejtën të ngriheshit nga karrigia, të thërrisnit organet kompetente për të marrë atë zonjën, të vinte të merrte fëmijën dhe derisa të bëhej zgjidhja e martesës dhe të vendosej kujdestaria ligjore, ai fëmijë duhet të qëndronte tek nëna ku ishte”, është shprehur Eni Çobani. /tvklan.al.