Të ftuar:
Alketa Ahmetaj
Edlira Rehovica – kirurge
Blerta Sadikaj – PR i Comodita Home
Gazetare: Agida Koçi
#ShijeShtëpie në #TvKlan. Emision edukues, informues & argëtues me znj. Vjollca dhe Katerina Trungu. Çdo ditë me recetat e thjeshta dhe mbi të gjitha ekonomike te znj. Vjollca duke edukuar amvisat si të ushqehemi shëndetshëm. Rubrika të ndryshme me të ftuar specialë me këshilla të thjeshta praktike, të kuptueshme nga të gjithë, për çdo aspekt të të përditshmes. Argëtim, me muzikë dhe quiz, lojëra gjithëpërfshirëse që të japin atë dëshirën për të luajtur dhe për të komunikuar live me Katerinën dhe të ftuarit e saj.
2 receta nga Znj. Vjollca
Pulë e pjekur me gështenja dhe kërpudha
1,6 kg pulë Tik tik
50 gr gjalpë
300 gr gështenja
500 gr kërpudha
Kripë dhe piper i zi
0,5 lç piper i kuq
2 degë rozmarimë
3 degë trumzë
1 gjethe dafinë
100 gr pançetë
Vaj ulliri
100 ml verë të bardhë
Pastrojmë pulën dhe në pjesën e brendshme të saj vendosim pak kripë dhe pak piper të kuq dhe nëse keni erëza të freskëta, rozmarinë dhe trumzë vendosim nga një degë brenda në bark. Lidhim këmbët e pulës. (Nëse erëzat nuk i keni të freskëta atëherë nga pak nga këto erëza i përziejmë me gjalp dhe i vendosim në barkun e pulës).
Masazhojmë me pak kripë pulën nga jashtë, e vendosim atë në tavë, e lyejmë me pak vaj ulliri nga jashtë, vendosim disa copa gjalpi mbi të dhe e vendosim pulën në furrë në temperaturë 180 -190 gradë Celsius për 30 minuta.
Presim qepën Chalotte në fije, kërpudhat I presim në dysh nëse janë të vogla dhe në katërsh nëse janë më të mëdha.
Në një tigan ngrohim vajin dhe kavardisim qepën derisa të zbutet, shtojmë pançetën dhe I lëmë derisa qepa dhe pançeta të jenë karamelizuar. Shtojmë kërpudhat, I kavardisim pak në temperaturë të lartë, më pas shtojmë gështenjat.
Rregullojmë shijen me kripë, i lëmë të ziejnë për 3-4 minuta. Nxjerrim pulën nga furra, e spërkasim atë me lëngun që ka lëshuar dhe shtojmë mbushjen përreth saj. Vendosim përsëri tavën në furë në temperaturë 170 gradë, për 30 minuta të tjera.
Supë krem me kungull dimri të verdhë
Historia e Alketës, një triumfuese e kancerit të gjirit
Zbuloi kancerin e gjirit në të njëjtën ditë që kishte humbur binjakët: Data që s’e harroj kurrë!
“Tetori rozë” është një muaj ndërgjegjësimi për kancerin e gjirit që jo vetëm sensibilizon, por edhe shërben për ndarjen e rrëfimeve të pacienteve që e kanë luftuar ose vazhdojnë betejat.
Alketa Ahmetaj është një prej grave që ka mundur ta mposhtë “vrasësin e heshtur”. Në fillim ishte vetëkontrolli gjatë dushit kur në gji ndiente diçka, por nuk i kushtonte rëndësi. Në moshën 42-vjeçare, Alketa u bë nënë e një vajze së cilës u detyrua t’i ndërpriste gjirin për shkak të një komplikacioni.
Alketa Ahmetaj: Fakti që kur bëja atë dushin tradicional unë prekja diçka dhe nuk më pëlqente në gjirin e djathtë. Bëra një lindje të vonuar, në moshën 42 vjeç unë linda vajzën dhe fatkeqësisht vajza ime u rrit me formulë pasi unë ditën e dhjetë të operacionit, bëra një trombozë në këmbën e majtë dhe m’u desh ose mjekët më sugjeruan t’ia hiqja gjirin vajzës dhe të vazhdoja mjekimet e trombozës.
Muaji gusht shënon për Alketën ngjarjet e bukura dhe të trishta të jetës. Më 18 është ditëlindja e saj kur mbushi edhe 47 vjeç, më 23 është ditëlindja e së bijës ndërsa data 27 i kujton humbjen e dy binjakëve në vitin ’91. 27 gushti ishte edhe dita kur mësoi se kishte kancer.
Alketa Ahmetaj: 27 gushti për mua është një datë për mua që unë nuk e harroj sa të jem gjallë sepse kam humbur dy bebe, në vitin ’91, dy djem në maternitet dhe 27-a ishte dita që unë shkoja gjithmonë dhe shkoj gjithmonë pranë tyre në varreza. Kur po kthehesha, më ra të fikët, po them që çdo gjë m’u nxi, sipër varrit të tyre, diçka nuk shkoi, fillova një dridhje që kishte kohë që e kisha. Kur ngjitem lart në shtëpi, thashë po bëj këtë dushin ritual dhe shikoj që kjo masa që unë e prekja kaq kohë, më kishte kërcyer dhe kishte dalë jashtë, ishte bërë si një kokërr arrë, goxha e prekshme. Aty u shqetësova. Më filloi një dhimbje trupi që thashë hë se kjo gjëndra që unë e kam vizituar por është rritur, do të ikë me kalimin e kohës, neglizhenca e parë.
Por përpara se të vinte kjo pjesë e kësaj gjëndrës, gjatë kohës që unë linda vajzën kam pasur një dhimbje shpatulle shumë të fortë, sa nuk arrija qumështin që e ushqeja, më binte shishja ose vajzën nga ky krah nuk e mbaja dot. Kam shkuar e kam bërë 6 gjilpëra në kockë duke menduar që është tharë lëngu etj, gjë që më vonë mora vesh që s’kishte lidhje fare.
Agida Koçi: 5 vjet ti ke qëndruar me tumor?
Alketa Ahmetaj: Po. Dhe është kjo e keqe që ti në atë moment nuk ndien gjë, thjesht dhimbja e parë ka qenë e shpatullës, por edhe pjesën mbrapa komplet, supën dhe shpatullën mbrapa, kisha dhimbje therëse. Edhe kur bëja punët, më shponte, duhet të drejtoja kurrizin se diçka mbrapa kurrizit më shponte, më përvëlonte por thosha u lodha.
Këputja e gjunjëve, djersët, dhimbja e kokës që nuk qetësohej dhe rënia e shtuar e flokëve ishin disa nga simptomat që Alketa po i përjetonte vazhdimisht. Momenti kur ajo më në fund vendosi të kërkonte ndihmë ishte pikërisht kur zbuloi gjëndrën që rezultoi të ishte një kancer malinj në gjirin e djathtë.
Triumfi i Alketës pas 28 kimioterapish dhe 36 radioterapish: Fillova fakultetin në moshën 51-vjeçare
Prej vitit 2016 kur u diagnostikua me kancer në gji, Alketa Ahmetaj ia ka dalë mbanë që të fitojë mbi sëmundjen. Historia e saj u nda në programin “Shije Shtëpie” në Tv Klan, ku veç kalvarit të vështirësive, ajo theksoi forcën, frymëzimin dhe mbështetjen që gjen edhe në kohën më të errët.
Ndërsa reflekton për atë periudhë dhe si ka ndikuar në jetën e saj, Alketa shprehet se e kujton çdo ditë, por e sheh veten fituese.
Alketa Ahmetaj: E kujtoj pothuajse përditë. Nuk ka ditë që mos ta kuptosh sepse ai është një operacion që lë shenjë. Sido që të jetë, ti përballesh përditë me atë gjendje, por të mendosh që vjen fituese pas 28 kimioterapish dhe 36 seanca rreze që kam bërë, them që vërtet është një betejë e fituar. Deri kur do të zgjasë kjo betejë, kjo fitore sepse vijnë edhe goditje të tjera që ne duhet të përballojmë, mund të ketë edhe një rikthim që ne nuk e përjashtojmë dot, as mjekësia jo.
Në stilin e saj të jetesës nuk kanë ndryshuar shumë gjëra, por sëmundja i dha shtysën që t’i plotësonte vetes një ëndërr.
Alketa Ahmetaj: Si stil jetese… ndonjë ndryshim shumë, shumë i madh jo. Vazhdoj jetën normale, punoj, kujdesem për familje, përballem me biznesin. Unë mund të them edhe diçka tjetër, një fitore që mund të them, unë fillova studimet në fakultet në moshën 51 vjeçe dhe mbarova Fakultetin Ekonomik.
Kanceri i gjirit, sensibilizim, parandalim, shërim
“Garage sale” me 70% ulje në Comodita Home!