#ShijeShtëpie në #TvKlan. Emision edukues, informues & argëtues me znj. Vjollca dhe Katerina Trungu. Çdo ditë me recetat e thjeshta dhe mbi të gjitha ekonomike te znj. Vjollca duke edukuar amvisat si të ushqehemi shëndetshëm. Rubrika të ndryshme me të ftuar specialë me këshilla të thjeshta praktike, të kuptueshme nga të gjithë, për çdo aspekt të të përditshmes. Argëtim, me muzikë dhe quiz, lojëra gjithëpërfshirëse që të japin atë dëshirën për të luajtur dhe për të komunikuar live me Katerinën dhe të ftuarit e saj.

Të ftuar:

Orjeta Kelaj Laro- drejtore e QKF Shkodër

Ariola Cara- stomatologe

Florinda Mazreku- aktore

2 receta nga Znj. Vjollca

Tarator me kos dhe kastravec

1 kg kos

2 kastraveca

3-4 thelpinj hudhra

Kripë

Disa pika uthull

(1 lk) Vaj ulliri

Kopër ose nenexhik të freskët

Fillimisht pastrojmë kastravecin dhe e grijmë atë në rende nga ana më e trashë e saj. Në po atë enë ku kemi vendosur kastravecin shtypim edhe 3-4 thelpinj hudhra. Shtojmë kosin dhe rregullojmë shijen me pak kripë sipas dëshirës dhe disa pika uthull, afro 1 lugë kafe. Shtojmë 2-3 lugë gjelle vaj ulliri dhe në fund e aromatizojmë me kopër dhe nenexhik të freskët sipas preferncës tuaj. Kur ta shërbejmë shtojmë edhe 1 lugë gjelle vaj ulliri për çdo racion.

Byrek me qepë dhe domate

Për brumin

450 gr miell

1 lç kripë

1 lgj vaj 220 ml ujë

Niseshte për hapjen e petëve

Mbushja

3 kokrra qepë

5 domate mesatare

1 lç sheqer

Kripë dhe piper i zi

Vaj ulliri

1 lgj gjalpë

Përziejmë në një enë të gjithë përbërësit e brumit dhe e punojmë atë deri sa të na formohet një brumë jo shumë i fortë por elastik. E lëmë të pushojë e më pas e ndajmë atë në 12 ose 14 kuleçë të cilët i lëmë të pushojnë 15 minuta.

Ndërkohë në një tigan ngrohim 4 lugë gjelle vaj dhe kaurdisim qepën të grirë në kubikë të vegjël deri sa ajo të tretet e të zverdhet. Shtojmë domatet të qëruara dhe të prera në copëza të vogla. Shtojmë 1 lugë çaji sheqer dhe i lëmë të gatuhen për 10 minuta duke shtuar më pas kripë dhe piper apo erëzat që preferoni, si pak rigon ose nenexhik apo borzilok të freskët. E lëmë mënjanë të ftohet. Ndërkohë hapim petët sa një pjatë e vogël dhe bashkojmë gjysmat duke i lyer me pak vaj midis njëra tjetrës dhe i hapim në një petë të vetme sa është sipërfaqja e tepsisë.

E vendosim petën në tepsinë e lyer me vaj. Mbi këtë petë shtrojmë mbushjen. Të njëjtën gjë bëjmë edhe me kuleçët e mbetur. I hapim në madhësinë e një pjate të vogël, i bashkojmë me vaj dhe hapim një petë të madhe me të cilën mbulojmë mbushjen. E spërkatim sipërfaqen me pak vaj e pak gjalpë dhe më pas e pjekim në furrë në temperaturë 180-190 gradë për 30-35 minuta.

1 qershori, festa e bukur e fëmijëve, si festohet sot?

Festivali i 62-të Mbarëkombëtar i Këngës për Fëmijë ndez qytetin e Shkodrës