Të ftuar:
Klevi Pojana – Jurist
Hajredin Dizdari – Hoxhë
Elona Nallbani – Koreografe
Glanduela Leci – Përfaqësuese e Acromax
Gazetare: Ermelinda Ndoja
#ShijeShtëpie në #TvKlan. Emision edukues, informues & argëtues me znj. Vjollca dhe Katerina Trungu. Çdo ditë me recetat e thjeshta dhe mbi të gjitha ekonomike te znj. Vjollca duke edukuar amvisat si të ushqehemi shëndetshëm. Rubrika të ndryshme me të ftuar specialë me këshilla të thjeshta praktike, të kuptueshme nga të gjithë, për çdo aspekt të të përditshmes. Argëtim, me muzikë dhe quiz, lojëra gjithëpërfshirëse që të japin atë dëshirën për të luajtur dhe për të komunikuar live me Katerinën dhe të ftuarit e saj.
2 receta nga Znj. Vjollca
Feta me patëllxhanë të mbushura me proshutë dhe djathë
800 gr patëllxhanë
200 gr proshutë të tymosur viçi
200 gr mozzarela
Vaj ulliri
Kripë + piper të zi
50 gr parmixhano
-Për salcën
750 gr pure domate
3 thelpinj
Vaj ulliri
Kripë + piper të zi
4-5 gjethe borzilok
Fillimisht pastrojmë patëllxhanët i presim ato në feta, më pas i lyejmë me pak vaj dhe i vendosim ato në një tepsi ku kemi shtruar letër pjekje, i spërkasim me pak kripë dhe i vendosim në furrë në temperaturën 200 gradë për 15 min. Ndërkohë që piqen patëllxhanët përgatisim salcën. Ngrohim vajin në tigan, kaurdisim si fillim hudhrat e grira hollë për pak sekonda e më pas shtojmë purenë e domates, rregullojmë shijen me pak kripë dhe piper të zi dhe gjethet e borzilokut të copëtuara. E lëmë salcën të gatuhet për 10 min në temperaturën nën mesatare. Ndërkohë fetat e patëllxhanit janë pjekur vendosim 2 fetat patëllxhanit në formën e një kryqi ose plusi në mes ku bashkohen fetat. Vendosim proshutën dhe mbi të djathin mozzarela më pas i mbulojmë në anët e fetave njësoj si një bohce. Kështu vazhdojmë derisa të mbarojmë fetat që kemi përgatitur. Vendosim ¾ e salcës si bazë në një tavë me salcë. Vendosim bohcet e mbushur i spërkasim sipër me pak salcë dhe parmixhano të grirë hollë. I vendosim në furrë të ngrohura në temperaturën 190 gradë për 15-20 minuta.
Sallatë kuskus
1 gotë kuskus
Kripë + piper i zi
Vaj ulliri
1 kastravec mesatare
1 domate e madhe
Majdanoz + kopër
Borzilok ose nenexhik
1 filxhan kafe arra të grira
Rrush të thatë 4 lugë gjelle
-Salca
1 lugë çaji mustardë
0.5 lugë çaji mjaltë
1 lugë çaji lëkurë limoni
2-4 lugë gjelle lëng limoni sipas dëshirës
Vaj ulliri
Vendosim kuskusin në një tas. Valojmë 300 ml ujë dhe e shtojmë tek kuskusi + dhe 1 lugë gjelle vaj ulliri, pak kripë dhe pak piper të zi. E mbulojmë tasin në një pjatë dhe e lëmë të pushojë për 10 min, tek kuskusi mund të shtojmë dhe rrushin që të hidratohet. Ndërkohë në një tas ku do të përgatisim sallatën bashkojmë të gjithë përbërësite salcës. Ndërkohë kastravecin dhe domaten i presim në kubik në brinjë 1 cm.
Barishtet i grimë trashë, sapo të kalojë koha e zbutjes së kuskusit e thermojmë atë dhe të ngrohtë. Sapo të kalojë koha e zbutjes së kuskusit e thermojmë atë në të ngrohtë e shtojmë në tasin me salcë e përziejmë me një piru dhe e lëmë të ftohet, kur të jetë ftohur e bashkojmë me kastravecin + domaten në kubik, erzat ( barsiht ) dhe arrat e grira i përziejmë dhe gati për ta shërbyer.
Çiftet e reja, a zgjedhin të jetojnë me prindërit?
E mbajti në shtëpi për 16 vite, Elona Nallbani: Nuk doja të bashkëjetoja me vjehrrën
Elona Nallbani, ish-balerina e njohur e TKOB dhe njëkohësisht pedagoge, është kundër bashkëjetesës së çiftit me prindërit e njërës palë. Ajo ka jetuar për 16 vite me mamanë e bashkëshortit dhe tregon hapur në “Shije Shtëpie” në Tv Klan se fillimisht nuk e dëshironte këtë gjë. Ende sot ajo ka të njëjtin mendim pasi e cilëson shumë të rëndësishme pavarësinë dhe privatësinë që një çift duhet të ketë.
Elona Nallbani: Personalisht, duhet të jem shumë e drejtë kur flas, shumë e sinqertë. Unë nuk kam dashur të bashkëjetoj me vjehrrën. Në psikologjinë time dhe në atë që doja unë të jetoja, ishte që të kisha absolutisht një familje më vete. Nuk kam asnjë kundërshtim dhe jo tani, por derisa të kem frymë që prindërit janë shumë të rëndësishëm për këdo nga ne. Unë gjithmonë kam menduar që ashtu siç do të doja dhe dua prindërit e mi sepse të mitë nuk jetojnë prej vitesh, absolutisht marr parasysh të njëjtën ndjenjë që do të kishte dhe ka edhe bashkëshorti im dhe nuk e vë fare në diskutim që më duket shumë primitiv dhe injorant që të isha kaq egoiste dhe të thosha që shiko se këta janë prindërit e mi dhe këta janë prindërit e atij. Jo! Absolutisht nuk e mendoj këtë gjë. Që të jem e sinqertë, nuk kam dashur të bashkëjetoj. Sigurisht ishin rrethanat që na çuan në bashkëjetesë. Unë isha shumë e re kur u bëra me fëmijë të jem e sinqertë dhe është ajo shprehja e vjetër popullore kur thonë që nuk di nga lidhet gomari, unë isha personifikimi i gjallë i asaj gjësë, pse të them?
Katerina Trungu: Domethënë nuk ia kishe idenë punëve të shtëpisë dhe fëmijës?
Elona Nallbani: Jo vetëm. Gjithçkaje, të them të drejtën. Mamaja ime më la shumë të re, isha 21 vjeçe kur vdiq dhe të them të drejtën nuk më kishte mësuar që të isha e përgatitur që të mund t’ia dilja jetës sime vetë, që të merresha si një nuse e mirë, që të kujdesej për familjen, për shtëpinë, për fëmijën, zonjën e shtëpisë. Shkurt muhabeti, unë e kam kuptuar zonjën e vërtetë të shtëpisë goxha vite vonë, këto rreth 10 viteve të fundit dhe vazhdoj të them, në këndvështrimin tim dhe në mëyrën sesi unë e shikoj dhe pa dashur të më paragjykojë askush se sigurisht, nuk jam fare pro që të bashkëjetohet me vjehrrin dhe vjehrrën. Mendoj që çiftit i duhet lënë hapësira të marrin vendimet e tyre, qofshin këto të mira, qofshin këto të gabuara.
“S’ia kishte parë djalit derën e shtëpisë”, Glanduela Leci: Si vjehrra ime detyrohej të qëndronte në hotel
Brezat më të vjetër preferojnë që çiftet e reja të kenë privatësinë dhe rehatinë e tyre. Ky është mendimi i Glanduela Lecit, së ftuarës në programin “Shije Shtëpie” në Tv Klan që bazohet në pëvojën e saj me nënën e partnerit apo “vjehrrën” siç e quan ajo.
Ajo tregon për raportin që ka ndërtuar me të, edhe pse fizikisht ndodhen larg pasi nëna e partnerit jeton në Gjermani. Glanduela shprehet se më parë ajo nuk kishte shkelur kurrë në shtëpinë e të birit për shkak të sjelljeve të ish-partnereve dhe qëndronte në hotel. Ajo shton se ka preferuar që ta ndryshojë këtë dhe e fton vjehrrën që të rrijë me ta sa herë që shkon për t’i vizituar.
Glanduela Leci: Nga eksperienca ime personale, kam marrë atë iniciativën e parë që pavarësisht se vjehrra ime jeton në një vend tjetër, në Gjermani, gjatë gjithë kohës unë e ftoj të vijë te shtëpia ime. Nuk dua që ajo të qëndrojë në hotel. Më përpara, gjatë gjithë kohës ajo qëndronte në hotel, nuk qëndronte asnjëherë te shtëpia e djalit të saj dhe realisht…
Katerina Trungu: Para se të ishit bashkë?
Glanduela Leci: Para se të ishim ne bashkë sepse personi që unë bashkëjetoj aktualisht ka pasur edhe marrëdhënie të tjera, goxha të gjata dhe nga ajo që kam dëgjuar unë, realisht jam shokuar sepse nuk ia kishte parë derën e shtëpisë djalit.
Ermelinda Ndoja: Pra nuk ka qenë një vjehrrë e mirëpritur në shtëpinë e djalit.
Glanduela Leci: Ka qenë më mirë t’i merrnin një hotel, të qëndronte në hotel sesa të qëndronte në shtëpi.
Katerina Trungu: Meqenëse hyre vetë në këtë diskutim, djali nga ana tjetër, binte dakord, ishte vendim edhe i tij apo ishte i kushtëzuar?
Glanduela Leci: Mund të them që ka qenë deri diku edhe i kushtëzuar sepse normalisht personat ndikohen edhe nga partneri që kanë afër, nuk duan t’i prishin rehatinë, sidomos kur janë rritur me një mentalitet totalisht ndryshe nga ai që ne jemi rritur, që privatësinë e kanë të shenjtë dhe sidomos kur janë mundësitë ekonomike që ti i ke mundësitë ekonomike që vjehrrës ose nënës t’i marrësh një hotel, edhe më luksozin por duhet të marrësh parasysh edhe kë ke nënë, edhe si është rritur ajo nëna jote, edhe si është rritur ajo vjehrra jote sepse mund të kesh vjehrra që realisht nuk duan të qëndrojnë fare në shtëpi, janë më rehat, më luks në një hotel,sidomos kur janë mundësitë e mira ekonomike, ke të tjera që duan ngrohtësinë, duan që kur çohen në mëngjes t’i gatuajnë një gjë të vogël djalit, ose në darkë, sikur edhe dy ditë që qëndrojnë aty duan të ndihen në shtëpinë e djalit të tyre si në shtëpinë e vet.
Si është të bashkëjetosh me vjehrrin dhe vjehrrën në një shtëpi?