Të ftuar:

Klegia Troksi – moderatore

Ketlin Pjalmi – këngëtare

Ardi Borova –  stilist flokësh

Aldor Nini – drejtor i Acromax

Gazetare: Agida Koçi, Ermelinda Ndoja

#ShijeShtëpie në #TvKlan. Emision edukues, informues & argëtues me znj. Vjollca dhe Katerina Trungu. Çdo ditë me recetat e thjeshta dhe mbi të gjitha ekonomike te znj. Vjollca duke edukuar amvisat si të ushqehemi shëndetshëm. Rubrika të ndryshme me të ftuar specialë me këshilla të thjeshta praktike, të kuptueshme nga të gjithë, për çdo aspekt të të përditshmes. Argëtim, me muzikë dhe quiz, lojëra gjithëpërfshirëse që të japin atë dëshirën për të luajtur dhe për të komunikuar live me Katerinën dhe të ftuarit e saj.

2 receta nga Znj. Vjollca

Tartë e shijshme me krem dhe kajsi, vetëm për 15 minuta

Për brumin

1 vezë
80 gr sheqer
100 ml vaj vegjetal
250 gr miell
1 lugë çaji pluhur pjekës
Tepsi 26 cm

-Për kremin

1 të verdhë vezë
300 ml qumësht
Vanilje
2 lugë gjelle sheqer
2 lugë gjelle niseshte
150 gr kajsi ose pjeshkë
1 lugë gjelle gjalp i ftohtë
4 lugë gjelle miell
2 lugë gjelle sheqer

Fillimisht përgatisim brumin. Në një tas vendosim 1 vezë shtojmë sheqerin + vajin dhe i përziejmë mirë. Shtojmë miellin + pluhurin pjekës dhe punojmë brumin me duar derisa të formohet një brum i butë që nuk ngjit me duar. Lyejmë një tavë tartë me gjalp dhe hapim brumin me duar derisa ti japim formën e tavës dhe ta nivelojmë mirë. Në një tigan salce vendosi 1 të verdhe veze + 300 ml qumësht + 2 lugë gjelle niseshte + 1 sheqer vanilje. I përziejmë mirë me tel dore dhe vendosim tiganin në zjarr duke e përzierë vazhdimisht derisa kremi të trashet dhe të valojë.

Kremin e shtojmë mbi petën e vendosur në tavë duke e niveluar si bazë brumi. Qerojmë pjeshkët ose kajsitë dhe i presim në kubik të vegjël dhe i shpërndajmë mbi krem. Në një tas të vogël ose në grirsen e qepës vendosim 1 lugë gjelle gjalp të ftohtë. Shtojmë 4 lugë gjelle miell + 2 lugë gjelle sheqer dhe i përziejmë me dorë në tas ose në grirsen e qepës na formohet një masë e thermuar në të cilën mbulojmë kremin dhe futet në tavë. Më pas vendosim tartën në furrë në temperaturën 200 gradë ose 190 gradë për 20 min. Pasi tarta piqet e lëmë të ftohet dhe e pudrosim me sheqer pluhur.

Shija e verës, gjellë me kunguj të njomë

700 gr kunguj të njomë
250 gr mish të grirë
4-5 qepë të njoma
2 thelpinj hudhra
300 gr domate ( të pjekura )
4 lugë çaji oriz
Kripë + piper të zi
Vaj ulliri
2 lugë gjelle kopër

Në një tigan të thellë ngrohim vajin e aromatizuar me një thelpi hudhër e më pas kaurdisim qepen derisa të zbutet. Shtojmë mishin e grirë dhe vazhdojmë përzierjen deri sa mishi të ndryshojë ngjyrë. Shtojmë domatet të qeruara nga lëkura dhe të prera në kubikë. Përziejmë të gjithë përberësit në tigan. Vendosim kapakun dhe lemë domaten të zieje për pak minuta. Shtojmë kungujt të prerë në kubike, orizin dhe pasi të hedhim pak kripë e lëmë 5 minuta të shohim sa ujë do të nxjerrin kungujt.

Atëherë shtojmë pak ujë të nxehtë por asnjëherë uji të mos dalë
mbi nivelin e kungujve. Vendosim kapakun dhe e lëmë gjellen të
zieje për 20 minuta. Në fund shtojmë pak kopër dhe e lëmë të pushojë 10 minuta pasi të kemi ulur temperaturen. E shërbejmë të ngrohtë.

Bashkëjetesë apo martesë/ Çfarë preferojnë më shumë çiftet?

Prej kohësh në një bashkëjetesë, Aldor Nini: Ju zbuloj arsyen pse nuk po bëj fëmijë

Aldor Nini është prej disa kohësh në një marrëdhënie dashurie, por ende heziton për të patur një fëmijë. Ai shprehet në programin “Shije Shtëpie” në Tv Klan se e ka të vështirë pjesën e përkushtimit, ndërsa thotë se duhet menduar edhe si do të veprojë çifti në rast ndarjeje.

Aldor Nini: Ka ca njerëz që marrin përgjegjësinë ose e bëjnë atë premtimin shumë më lehtë se unë. Unë në momentin që mendoj ose imagjinoj që të kem një fëmijë, dua të jem i sigurt që mund të përkujdesem për atë fëmijë, me atë partnere mund të merrem vesh edhe në rast se ndahesh që ky është problemi më i madh që duhet llogaritur, me personim që ke përballë mund të bësh një fëmijë, të pëlqen, edhe pjesa gjenetike se a është në aspektet që ti kërkon, por çfarë duhet parë është çfarë do të ndodhë në rast se ti do të ndahesh, pra gjënë  më të keqe.

Nini shton se nga një bashkëjetesë e mëparshme prej së cilës ka një vajzë, asgjë nuk rezultoi siç e kishte menduar. Sipas tij, kjo tashmë e ka bërë të analizojë edhe rrethanat familjare të partneres.

Aldor Nini: Kam kuptuar diçka që në Shqipëri nuk është e rëndësishme të fokusohesh vetëm te mentaliteti i personit që ke përballë, por të shikosh edhe pak rrethanat familjare. Pse? Janë disa gjëra të brendshme që kanë ndikuar në edukatën e personit të cilat akoma i ke të pazbuluara dhe ato mund të zbulohen në një moment të caktuar.

Si ndahen financat në bashkëjetesë/martesë?

Portofolin e mban burri apo gruaja? Këngëtarja: Secili fiton të vetat kurse për t’i prishur…

Sociologët dhe psikologët sugjerojnë që përpara nisjes së një bashkëjetese, çifti duhet të diskutojë paraprakisht edhe aspektin financiar. Ketlin Pjalmi thotë se në rastin e saj, kjo nuk ka ndodhur dhe gjithçka ka rrjedhur natyrshëm.

Këngëtarja tregon në “Shije Shtëpie” në Tv Klan se të dy ishin në dijeni të punës me të cilin merrej tjetri dhe nuk kishte qenë një temë diskutimi për ta. Megjithatë, ajo ka një këshillë për këdo që mendon të ndërmarrë këtë hap. Sa i përket se kush e mban portofolin, pas martesës kompromisi ndryshon.

Ketlin Pjalmi: Fillimisht të jenë stabël ekonomikisht vetë sepse mendoj që kjo është shumë e rëndësishme. Kjo është e rëndësishme edhe në përzgjedhjen që ti bën për atë tjetrin, nuk shtyhesh nga ana ekonomike, por njëkohësisht je më i qetë në bashkëjetesën tënde. Ne nuk e kemi pasur të nevojshme ta diskutojmë, por duke pasur parasysh që bashkëshorti ka një biznes, unë kam një biznes, ai ka të ardhurat e veta, unë të miat, ia kemi lejuar vetes që thjesht aty ku ka nevojë, është herë njëri e herë tjetri. Po ashtu edhe në pushime, po ashtu edhe në dhurata. Faktikisht ne jemi një shoqëri që ndoshta koncepti është që është burri i familjes ai që mban familjen dhe mund të them që edhe në familjen tonë,  pjesën më të  madhe e mbulon bashkëshorti por kjo nuk ka ardhur se kështu e kemi zgjedhur, thjesht gjatë rrugës…

Ardi Borova: Lekët kush i mban?

Ketlin Pjalmi: Secili të vetat, por në momentin që i mungon njërit diçka, padiskutim që nuk janë më të tijat apo të miat, pra kur vjen puna për t’i fituar, fiton secili të vetat, për t’i shpenzuar, bën Zoti mirë.

A duhet të bëjmë llogari kur nisim një raport në çift?

“Bashkëpunova me ish-in në biznes”, Aldor Nini tregon ‘rezultatin’ e ‘çmendurisë’

Biznesi dhe dashuria nuk kanë rezultuar një kombinim i mirë për Aldor Ninin. Gjatë bisedës në “Shije  Shtëpie” në Tv Klan, ai tregon se ka tentuar një ide perëndimore pas ndarjes duke ruajtur raportet e punës me ish-in. Kjo vazhdoi për 2 vjet, por në fund rezultoi që nuk funksionoi për ta.

Aldor Nini: Kam bërë një gjë shumë të çmendur. Pas ndarjes kam bashkëpunuar me atë personin për gati 2 vjet.

Ermelinda Ndoja: Dhe ka rezultuar i suksesshëm, e shikon? Apo jo? jo?

Klegia Troksi: Domethënë ju ishit bashkëpunëtorë të suksesshëm, por jo partnerë të suksesshëm?

Aldor Nini: Ky ishte mendimi im shumë amerikan, gjerman, europian… por jo shqiptar dhe provova të realizoj këtë gjë në Shqipëri. Nuk  funksiononte për arsye se disa njerëz nuk janë në gjendje ta ndajnë atë pjesën, pjesën personale që tani je ndarë, kjo është pjesa e punës me pjesën personale. Normalsisht ka edhe lëndime, arsye të tjera pse ndoshta njerëzit nuk edhe duhen.