Në të shkuarën e largët, Toka mund të ketë përjetuar stuhi masive shiu, duke u goditur nga më shumë se 30 centimetra shi në vetëm pak orë.
Shkencëtarët po modelojnë disa epoka të vapës ekstreme në planetin tonë, kohë kur temperatura në sipërfaqe përllogaritet të ketë qenë rreth 47 gradë Celcius. Ata besojnë se ciklet e thatësirës mund të jenë pasuar nga shira katastrofikë.
Ky cikël “është një gjendje atmosferike e re dhe tërësisht i papritur”, thotë grupi i ekspertëve që qëndron pas këtij studimi të ri. Sipas tyre, kjo punë kërkimore, jo vetëm mund të përmirësojë mënyrën sesi e kuptojmë të shkuarën dhe të ardhmen e Tokës, por mund të na informojë gjithashtu mbi observimet e ekzoplaneteve jashtë sistemit tonë Diellor.
“Ne zbuluam se në klimat ekstremisht të nxehta, mund të ketë disa ditë pa shi në pjesën më të madhe të oqeanit. Më pas, papritur një stuhi masive shiu shpërthen thuajse në të gjithë zonën, duke shkarkuar një sasi tejet të madhe shiu. Më pas heshtje sërish për disa ditë dhe shi i të njëjtave përmasave”, shpjegoi shkencëtari i klimës Jacob Seeley, nga Universiteti i Harvardit në Massachusetts.
Ekspertët bënë një seri simulimesh, në disa raste duke i rritur temperaturat deri në 54 gradë Celcius, më ngrohtë nga sa është në Tokë aktualisht. Ata testuan si rritjen atmosferike CO2 (deri në 64 herë mbi nivelet aktuale), si dhe rritjet e rrezeve të diellit.
Rritje të tilla të temperaturave krijojnë atë që njihet si ‘shtresa e frenimit’, një shtresë pranë sipërfaqes së tokës e shkaktuar nga avujt e ujit nga atmosfera e nxehtë, që parandalon retë konvektive nga ngritja dhe formimi. Kjo shtresë më pas i mban të mbërthyer avujt pranë sipërfaqes.
Në të njëjtën kohë, ngrohtësia që humbet në hapësirë bën që retë të formohet në atmosferën e sipërme.
Shiu nga këto re avullon përpara se të prekë sipërfaqen, për shkak të nxehtësisë së tepër, ndaj uji në sistem vijon të mblidhet. Ky avull në fund shpërthen në ‘shtresën e frenimit’, duke shkaktuar stuhi shiu që mund të zgjasin me orë të tëra.
“Është si të karikosh një bateri masive”, shpjegon Seeley.
Sado shqetësuese mund të jetë kriza klimatike, ekspertët nuk parashikojnë që për momentin në tokë të kemi temperatura kaq të larta. Megjithatë kjo punë kërkimore është e rëndësishme për të kuptuar se çfarë është e aftë të bëjë klima e Tokës dhe për të parashikuar të ardhmen e planetit tonë, ndërkohë që dielli bëhet gjithnjë e më i ngrohtë./tvklan.al