42-vjeçari Egli Proga u dhunua nga 29-vjeçari, Denis Meçe në një lokal të Pogradecit dhe më pas doli në rrugë duke ecur, ku pak momente më vonë u rrëzua në tokë për shkak të plagëve të marra dhe humbi ndjenjat.
Në pamjet që ka siguruar korrespondentja e Klan News, Daniela Zisi, shihet momenti kur 42-vjeçari del nga lokali ku ndodhi sherri për t’u larguar. Mirëpo, siç u raportua dje, ai mundi të lëvizte vetëm pak çaste pasi nuk u rezistoi dot plagëve të marra.
Sjellim në vëmendje se gjatë së shtunës u raportua se 42-vjeçari kishte ndërruar jetë aksidentalisht në lagjen nr.1 në Pogradec. Hetimet e komisariatit të policisë së këtij qyteti kanë zbuluar se ai ka mbetur i vdekur pasi është dhunuar fizikisht nga 29-vjeçari Denis Meçe pas konfliktit për motive të dobëta.
Autori pasi e ka goditur disa herë viktimën është larguar nga vendngjarja për t’u arrestuar pak orë më vonë nga policia. 29-vjeçari dhe viktima u konfliktuan në përpara këtij lokali. Pasi është qëlluar disa herë nga Meçe, 42-vjeçari Egli Proga ka qëndruar për pak minuta në lokal, e më pas ka dalë dhe është rrëzuar në tokë për shkak të plagëve të shkaktuara nga dhuna.
Në momentin që ka ndodhur ngjarja kanë qenë prezent dhe persona të tjerë në lokal, të cilët nuk kanë kallëzuar në polici lidhur me krimin e regjistruar. 3 prej tyre janë vënë në pranga nga uniformat blu për “Moskallzim krimi” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”./tvklan.al