Analisti dhe gazetari Armand Shkullaku e konsideron të pakuptimtë praninë e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj në Bejrut për të pritur Alvin Berishën që u shpëtua nga kampi i Al-Hol në Siri. I ftuar në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan, Shkullaku theksoi se ministri Lleshaj do të duhej të qëndronte në Itali në zyrën e homologut të tij për të ndjekur operacionin e shpëtimit.

“Gjithë operacioni është kryer nga forcat italiane nën drejtimin e strukturave të posaçme të qeverisë italiane. Kur e mora vesh që ministri ishte në Liban, thashë ose ka shkuar se është Gjeneral dhe po drejton ndonjë plan në terren dhe largqoftë mund t’i ndodhte ndonjë gjë. Sepse normalisht unë mund ta kisha parë ministrin e Brendshëm shqiptar në Itali, në Romë, në zyrën e kolegut të tij italian duke ndjekur nga një ekran, kompjuter. Dhe presidenti amerikan ndjek operacionet shumë herë më të vështira se ky nga një zyrë e Shtëpisë së Bardhë dhe nuk del atje me flamur Sekretari i Mbrojtjes kur kryen aksione kaq të mëdha. Kjo tregon provincialitetin dhe kompleksin që ne kemi për çdo ngjarje, patjetër do nxjerrin foto, do bëjmë selfie, do bëjmë filmime, do nxjerrim flamurin. Ministri i Brendshëm e ka vendin në zyrë, se ç’do në Bejrut unë nuk e di. Mund të ishte maksimumi zv/ministri i Jashtëm atje për çështje diplomatike, bëhen letrat, Konsulli i Nderit është aty”.

Ministri Lleshaj ka pritur sot në Bejrut fëmijën shqiptar Alvin Berisha, pas largimit nga Siria. Alvini qëndronte në kampin e Al-Holit pa asnjë familjar, pasi e ëma e tij që kishte shkuar në Siri ku ishte martuar me një ekstremist, ishte vrarë gjatë luftës. Ndërsa babai i Alvinit jeton në Itali dhe prej kohësh kërkon kthimin e të birit. /tvklan.al