Marash Kumbulla shihet çdo ditë dhe më larg Romës. Mbrojtësi i Shqipërisë pritet të ndryshojë ekip në këtë merkato vere, por do të qëndrojë në Itali.
Së fundmi, interes për shërbimet e lojtarit 24-vjeçar ka shfaqur skuadra e Empolit. Toskanët janë në kërkim të një mbrojtësi dhe Kumbulla shihet si profili i duhur për këtë repart.
“Sky Sport” raporton se drejtuesit e Empolit kanë kontaktuar Romën, për të kuptuar situatën e shqiptarit. Palët janë në fazën e bisedimeve, por ekziston mundësia e arritjes së një marrëveshje në ditët e ardhshme.
Në rast transferimi tek Empoli, aty Kumbulla do të gjente një tjetër lojtar të Kombëtares shqiptare. Ardian Ismajli është prej tre vitesh pjesë e toskanëve, aty ku është kthyer në një pikë kyçe për skuadrën. Në sezonin e ri, në Serie A, mund të kemi një dyshe shqiptarësh në qendër të mbrojtjes.
Kjo do të ishte diçka shumë pozitive edhe për Shqipërinë, pasi do ndihmonte lojtarët të përshtaten me njëri-tjetrin dhe mund të aktivizohen më pas nga trajneri Silvinjo. /tvklan.al