Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë e ka miratuar të shtunën rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare të 9 Shkurtit. Lëvizja Vetëvendosje është partia e parë me mbi 390.000 vota apo 42.30 për qind.
E dyta ka dalë Partia Demokratike e Kosovës me mbi 190.000 vota, apo 20.95 për qind, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me mbi 170.000 mijë vota, apo 18.27 për qind.
Në vendin e katërt është koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Social-demokrate me mbi 66.000 vota apo 7.06 për qind.
Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – ka siguruar mbi 39.000 vota apo 4.26 për qind.
Ashtu siç pritet partia e Kryeministrit Albin Kurti nuk ka mundësi të krijojë qeverinë pa bërë alenancë me ndonjë parti tjetër.
Me këto përqindje, Vetëvendosja ka siguruar 48 mandate në Kuvendin e Kosovës, PDK-ja, 24 , LDK-je, 20 , Lista Serbe 9 vende dhe koalicioni AAK-Nisma, tetë vende. 11 mandatet që mbeten i kanë partitë e tjera minoritare.
Të drejtë vote në këtë proces zgjedhor kanë pasur mbi 2 milionë shtetas të Kosovës, ndërsa pjesëmarrja ka qenë 46.54 për qind.
Kryetari i KQZ, Kreshnik Radoniçi, ka thënë se me Ligjin e ri për Zgjedhjet, subjektet politike mund të ankohen në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me këtë rezultat përfundimtar deri në 48 orë nga shpallja e tij.
Radoniçi ka garantuar se në asnjë moment nuk është cenuar integriteti i votës, ani pse ka pasur vonesa në numërim të votave.
Klan News