Kryeministri Edi Rama është shprehur se nisma e Sali Berishës pasi u shpall non grata është një marrëzi dhe tallje me njerëzit që e besojnë. Rama i konsideron shashka akuzat e Berishës se shpallja non grata e tij ka ardhur si pasojë e lobimit të miliarderit George Soros dhe atij vetë.
Edi Rama: E vërteta është se në kushtet e damkosjes me vulën e listës së zezë, ai del nga strofulla dhe i jepet si asnjëherë më parë marrëzisë dhe thith pas vetes energji të atyre, të cilët janë komplet të dëshpëruar me atë tjetrin dhe këtë e bën në emër të dinjitetit njerëzor.
Arian Çani: Pse nuk ka të drejtë, po ti të ishe kryeministër, e zëmë dhe do të shpalleshe non grata, çfarë do të bëje?
Edi Rama: Është komplet e tëra një marrëzi, është estradë, është të tallesh me ata që të kanë dhënë besim dhe të tallesh me zhgënjimin dhe dëshpërimin e tyre. Është të shfytëzosh njëkohësisht atë lidhje të vjetër që ke me një oaz, burimesh njerëzore të zhgënjyera si pasojë e humbjeve të njëpasnjëshme, ndërkohë që ti vetë je faktor kyç për ato humbje sepse nuk ke folur asnjëherë për arsyen e atyre humbjeve, por gjithmonë ke thënë që ishte një fitore që na e vodhën dhe t’ju thuash që këtu ka tradhti burra dhe për këtë të përdorësh SHBA dhe të hedhësh në tym shashka që SHBA u manipuluan nga një miliarder në Amerikë dhe një kryeministër në Shqipëri dhe hodhën firma. Kjo është marrëzi, është për të qeshur dhe për të qarë. Këtu është një lojë pasqyrash për të ndikuar tek ato që janë të zhgënjyer./tvklan.al