Tajlanda është shteti i parë në Azinë juglindore që legalizon martesat e së njëjtës gjini, një ngjarje që grupet LGBTQ+ synojnë ta festojnë me më shumë se 1000 regjistrime në një ditë të vetme.
Komuniteti LGBTQ+ ka luftuar prej dekadash për barazinë martesore dhe sot, 878 zyra distriktesh në vend hapin dyert për çiftet e të njëjtit seks që të regjistrohen dhe martohen. Me këtë Tajlanda ndjek linjën e dy shteteve të tjera aziatike që e kanë realizuar para saj, Tajvanit dhe Nepalit.

Qindra çifte kanë marrë certifikatat e martesës të enjten duke mos e fshehur lumturinë dhe lotët për këtë moment që e kanë ëndërruar prej kohësh.
Një paradë ngjyrash dhe kostumesh u shpalos ngado, ndërsa zyrtarët e distrikteve organizuan festa me kënde të posaçme për foto dhe ëmbëlsia falas, madje një distrikt në Bangkok dhuroi bileta avioni për çiftin e parë që regjistroi martesën.
“Flamuri ylber po fluturon lart mbi Tajlandë”, shkroi kryeministrja Paetongtarn Shinawatra në Facebook teksa vetë ndodhet në Davos në Forumin e Ekonomisë Globale.

Aktivistët shpresojnë ta shenjojnë këtë ngjarje me 1448 regjistrime në fund të ditës së sotme, numër që simbolizon klauzolën në Kodin Civil sa i përket përcaktimit të martesës.
Tajlanda ka një komunitet të dukshëm dhe të larmishëm LGBTQ+, madje njihet si një nga vendet më mikpritëse për ta në Azi, por ka qenë një rrugëtim i gjatë për aktivistët.
Certifikata e martesës nënkupton që tani çiftet e këtij komuniteti kanë të njëjtat të drejta si një çift heteroseksual për t’u fejuar e martuar, menaxhuar pasurinë, për të trashëguar dhe për të adoptuar fëmijë.





Ata mund të marrin edhe vendime për trajtimet mjekësore të partnerit në rast sëmundjeje dhe pamundësie apo të kalojnë përfitimet financiare te bashkëshorti/ja.
Ligji i cili u miratua nga të dyja kuvendet parlamentare qershorin e shkuar dhe më pas u mbështet nga mbreti i Tajlandës në shtator, shënon një hap të madh për të drejtat e komunitetit LGBTQ+./tvklan.al