Drejtori ekzekutiv i “BAN”, Jim Puckett në një prononcim për mediat nga Durrësi ka bërë thirrje për ekzaminimin e anijes që thotë se përmban 102 kontejnerë me mbetje toksike. Më tej gjatë fjalës së tij, Puckett shpreson që hapja e kontejnerëve të bëhet nën vëzhgimin e publikut derisa çdo gjë të ekzaminohet.

Jim Puckett, drejtor ekzekutiv i “BAN”: Emri im është Jim Puckett, jam drejtor ekzekutiv i rrjetit të Bazelit që ka qendrën në Siato në SHBA. Jemi mbledhur me arritjen e anijes toksike me 102 kontejnerë, do të vijë në Durrës sot. Ne presim që anija të arrijë dhe të ankorohet pasdite. Pritej të arrinte në orën 8, por është kërkuar që të mbahet 1 kilometër larg bregut. Kemi informacion që autoritetet kanë kërkuar që kapiteni të vijë dhe të qëndrojë në pritje tashmë. Besoj që kjo vonesë është për shkak se ju të gjithë jeni këtu. Besojmë se pasdite, anija do të ankorohet këtu, por nuk jemi të sigurtë se çfarë do të ndodhë më pas. Jemi në dijeni që ka një procedim penal nga Prokuroria dhe besojmë që ekipi i Prokurorisë të jetë këtu kur anija të arrijë. Shpresoj që hapja e kontejnerëve të bëhet nën vëzhgimin e publikut derisa çdo gjë të ekzaminohet.

Gjatë fjalës së tij, Puckett ka thënë se janë 90% të bindur se kjo anije ka mbetje toksike të rrezikshme. Ai beson se kjo ngarkesë e ka origjinën nga kompania e çelikut në Elbasan.

Jim Puckett, drejtor ekzekutiv i “BAN”: Ka pasur shumë polemika. Ka diskutime që nuk ka mbetje, por ne jemi 90% të bindur se kjo anije ka mbetje toksike. Ne kërkojmë që të bëhet analizë e plotë nga organet kompetente. Jam 100% i sigurtë që kjo ngarkesë nuk duhet të eksportohet në Tajlandë. Kemi bërë ekzaminimet tona dhe kemi gjetur se aty ka mbetje toksike të rrezikshme, kemi marrë dhe pluhurin dhe e kemi investiguar. Ne besojmë që kjo ngarkesë e ka origjinën nga kompania e çelikut që është e vendosur në Elbasan dhe për këtë arsye janë bërë të gjitha vëzhgimet e duhura. Niveli i mbetjeve toksike që ka dalë nga Shqipëria është tej niveleve të lejuara, besojmë se ky eksportim është ndotje për mjedisin dhe zonat e agrokulturave. Kthimi i anijes mbrapsht në Shqipëri është fillimi i kësaj historie dhe jo fundi. Duhet të kemi marrje masash të duhura për këtë çështje në këto nivele.

Basel Action Network (BAN), është organizata që zbuloi eksportin e dyshuar të paligjshëm të mbetjeve nga Shqipëria në Tajlandë./tvklan.al