Një person ka ndërruar jetë dhe shtatë të tjerë janë plagosur pas shpërthimit të një mjeti tip “Tesla Cybertruck” në hyrje të Hotelit Trump në Las Vegas, Nevada.
Automjeti ishte marrë me qera në Kolorado dhe mbërriti në qytet, më pak se dy orë para shpërthimit, sipas policisë. I parkuar para hotelit pranë një hyrje xhami, automjeti filloi të nxirte tym e më pas shpërtheu.
Zyrtarët e Policisë Metropolitane të Las Vegasit dhe Departamentit të Zjarrfikësve të qarkut Clark thanë në një konferencë shtypi se shoferi ndërroi jetë brenda mjetit. Sipas autoriteteve automjeti ishte i mbushur me fishekzjarre të djegura, bombola gazi dhe lëndë të tjera djegëse. Të gjithë të pranishmit në hotelin Trump u evakuuan pas incidentit dhe shumica e vizitorëve u zhvendosën në një hotel tjetër.
Drejtori ekzekutiv i Tesla-s Elon Musk, tha në rrjetin X se është konfirmuar se shpërthimi u shkaktua nga një sasi e madhe fishekzjarrësh që ka qenë në makinën e marrë me qira”. Sipas tij kjo nuk ka të bëjë me një defekt të makinës.
Shpërthimi ndodhi disa orë pas sulmit tragjik në New Orleans ku një person hyri me një kamion në një turmë njerëzish. FBI tha gjithashtu se agjencia po shqyrtonte nëse incidenti mund të ishte një akt terrorist, por autoritetet bënë të ditur se deri më tani nuk kishin gjetur asnjë provë se ky incident ishte i lidhur me ISIS.
Oficerët po shqyrtojnë gjithashtu mundësinë pse shoferi zgjodhi qëllimisht të përdorte një automjet në pronësi të Musk për të dërguar një mesazh të tillë, duke pasur parasysh miqësinë e miliarderit me presidentin e zgjedhur Donald Trump.
Klan News