Shpërthimi i vullkanit në Ishullin e Bardhë në veri të Zelandës së Re, u mori jetën 5 personave, ndërsa 22 të tjerë rezultojnë të zhdukur.
Shpërthimi ndodhi rreth orës 14:00 të kësaj të hëne me orën lokale. Autoritetet thanë se rreth 50 persona ndodheshin në atë ishull në momentin e shpërthimit, ndërsa u evakuuan të gjithë ata që u gjetën të gjallë, ndaj dhe nuk ka më shpresa për gjetjen e të mbijetuarve.
Turistët postuan në rrjetet sociale rrëfimet me përjetimet e tyre teksa evakuoheshin nga ishulli i vogël.
“Është gjëja më e çmendur që na ka ndodhur në jetë. U larguam me varkë 1 orë e 10 minuta para shpërthimit por u kthyem për të shpëtuar njerëz. Nuk jemi të sigurtë nëse njerëzit që kanë mbetur atje janë të gjallë”.
“Të gjithë kishin djegie, disa i kishin të rënda. Nuk e di a u shpëtuan të gjithë, por shpresoj të ketë ndodhur kështu”.
Shpërthimi ngriti në rreth 4 kilometra në ajër një re të dendur pluhuri e tymi, që detyroi autoritetet të shpallin zonën e ndalim fluturimit në veri të Zelandës së Re. Ishulli i Bardhë është zona më aktive vullkanike e botës.
Tv Klan