Një ditë pas shpërthimit të vullkanit, Zelanda e Re është tronditur nga një tërmet i fuqishëm. Lëkundjet sizmike kanë qenë me magnitudë 5.3 të shkallës Rihter. Epiqendra e tërmetit ishte 25 kilometra në jug të Gisborne, por u ndje në të gjithë vendin.
Megjithatë, institucionet sizmologjike në vend thonë se tërmeti nuk ka lidhje me shpërthimin e vullkanit një ditë më parë.
Vullkani shpërtheu në Ishullin e Bardhë duke lënë të vdekur 6 persona, ndërsa disa të tjerë raportohen të zhdukur. Shumë turistë ndodheshin në ishull në momentin e shpërthimit të vullkanit.
Ishulli i Bardhë në Zelandën e Re është një nga zonat me aktivitet të lartë vullkanik në këtë vend. Shpërthimi i tij i fundit më i madh ka qenë në vitin 2001, ndërsa vitet më vonë ka pasur shpërthime të vogla.
Ky ishull vizitohet shpesh nga turistët, edhe pse është një nga zonat më të rrezikshme për shkak të aktivitetit vullkanik. /tvklan.al