Një shtëpi në Dibër ra pre e një shpërthimi me lëndë plasëse, orët e vona të së shtunës. Ngjarja ndodhi në fshatin Fushë-Çidhën, në oborrin e shtëpisë së një personi me iniciale I.P.
Sipas policisë sasia e hedhur ishte e vogël, për pasojë edhe dëmet nuk ishin të shumta. Autoritetet hetimore vijojnë punën për zbardhjen e rastit, identifikimin e kapjen e autorit/ve.
“Në orët e vona të mbrëmjes datë 13.07.2024, në oborrin e banesës së shtetasit I.P., në fshatin Fushë-Çidhën është hedhur dhe ka shpërthyer një sasi e vogël lënde e dyshuar plasëse. Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme të vogla materiale. Grupi hetimor në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë punën për zbardhjen e rastit, identifikimin e kapjen e autorit/ve”, thuhet në një njoftim të policisë së Dibrës.
Ndërkohë, në një tjetër rast, një shpërthim po tritol tronditi banorët e një pallati në Elbasan. Lënde plasëse ishte vendosur në derën e hyrjes në pronësi të një 59-vjeçari, ku po jetonin me qira dy vajza. Apartamenti ndodhej në katin e 4 të pallatit. Nga shpërthimi mbeti i plagosur një 26-vjeçar që jetonte në hyrjen përballë./tvklan.al