Reshjet e dëborës kanë përfshirë Qarkun e Dibrës. Korrespondenti i Klan News, Neki Feta raporton se reshjet kanë qenë me intensitet mesatar, ku trashësia në qytetin e Peshkopisë dhe Bulqizës ka arritur rreth 20 cm, ndërsa në zonat e thella varion deri në 40 cm.
Si pasojë e reshjeve të dëborës është bllokuar kalimi në bypassin e Murrizit në Rrugën e Arbrit. Policia e Dibrës ka vendosur postbllok në rrethrrotullimin e Klosit dhe drejtojnë mjetet nga aksi i vjetër Klos-Burrel-Milot. Të njëjtën gjë bën edhe policia e Tiranës që nuk lejon mjetet drejt Bastar-Murrizës.
Akset e tjera rrugore janë pjesërisht të kalueshme me zinxhirë ku konkretisht aksi kombëtar Peshkopi-Kukës është i kalueshëm pjesërisht me zinxhirë, ndërsa aksi Peshkopi-Librazhd i kalueshëm me zinxhirë.
Ndërkohë kompanitë kontraktore kanë bërë pastrimin e borës dhe kriposjen e rrugës, por reshjet vazhdojnë ndaj, drejtuesit e mjeteve duhet të reduktojnë shpejtësinë, lëvizjet e panevojshme dhe të përdorin gomat e dimrit dhe zinxhirët./tvklan.al