Pavarësisht shpërthimit në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në veri të Kosovës, vendi nuk do të vuajë nga furnizimi i rregullt me energji elektrike. Po ashtu nuk do të mungojë ngrohja qendrore për qytetarët e Prishtinës. Lajmin e dha ministrja e Ekonomisë së Kosovës, Artane Rizvanolli.
“Pas një angazhimi të jashtëzakonshëm të institucioneve tona, është siguruar furnizimi i rregullt me energji elektrike për vendin dhe ngrohje qendrore për qytetarët e Prishtinës. Ibër-Lepenci, rreth orës 02:00 pas mesnate, në një afat rekord, ka vendosur gjashtë tuba të përkohshme me kapacitet të mjaftueshëm për të siguruar ujë për ftohjen e termocentralit ‘Kosova B’. Kësisoj, presim që furnizimi me energji elektrike të vazhdojë i pacenuar”, tha Rizvanolli në një postim në Facebook të shtunën në mëngjes.
Ajo bëri me dije po ashtu se në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurisë së Kosovës u vendos që autoritetet e Prishtinës të bashkëpunojnë me Korporatën Energjetike të Shqipërisë (KESH) për të siguruar energji shtesë.
“Në të njëjtën kohë, jemi koordinuar me Korporatën Energjetike të Shqipërisë për të siguruar energji shtesë për të evituar reduktime eventuale”, theksoi ajo.
Nga sulmi është ndikuar edhe furnizimi me ujë.
“Përderisa në Prishtinë furnizimi me ujë do të kompensohet nga Badovci dhe Batllava, furnizimi në Fushë Kosovë, Drenas dhe rajonin e Mitrovicës do të sigurohet përmes autobotëve, duke nisur nga mëngjesi i sotëm”, sqaroi ministrja.
Shpërthimi mbrëmjen e së premtes shkaktoi dëme të konsiderueshme në kanalin e ujit në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut. Nga kanali furnizohen me ujë disa qytete të vendit përmes Liqenit të Ujmanit si dhe Korporata Energjetike e Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.
Për këtë ngjarje, kryeministri i Kosovës akuzoi Serbinë për sulm kriminal dhe terrorist me synimin që të dëmtojë një nga infrastrukturat më të rëndësishme të vendit. Shpërthimi u dënua edhe nga përfaqësues ndërkombëtarë në Kosovë. Për ngjarjen reagoi edhe presidenti shqiptar, Bajram Begaj i cili telefonoi homologen e tij, Vjosa Osmani./tvklan.al