Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, dënoi ashpër sulmin ndaj “infrastrukturës kritike në Kosovë”, pas dëmtimit të kanalit të ujit në veri.

“Ne po monitorojmë nga afër situatën, do të mbështesim një hetim gjithpërfshirës dhe kemi ofruar mbështetjen e plotë për Qeverinë e Kosovës për t’u siguruar që përgjegjësit e këtij akti kriminal të identifikohen dhe mbahen përgjegjës“, tha ai në X.

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, tha se “incidenti serioz në Zubin Potok sonte mund të ketë pasoja të rënda për furnizimin me energji dhe ujë nëpër komunitete të ndryshme në shumë pjesë të Kosovës”. Ai kërkoi hetim të shpejtë për këtë sulm.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se dënon fuqishëm sulmin që prek “komunitetet gjithandej Kosovës”.

“I bëjmë jehonë thirrjeve për hetim të plotë dhe për vënie të keqbërësve para drejtësisë. Gjermania është e gatshme t’i mbështesë autoritetet kosovare“, është shprehur ai.

Edhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav, dënoi “sulmin ndaj kanalit të ujit në Zubin Potok, i cili po lë pa furnizim me ujë pjesë të konsiderueshme të Kosovës”. Ai tha se tashmë “ka ofruar ndihmën e BE-së për autoritetet e Kosovës”, dhe se “incidenti duhet të hetohet, ndërsa përgjegjësit të vihen para drejtësisë”.

Shpërthimi në Zubin Potok ndodhi disa orë pasi Policia e Kosovës njoftoi se ka shtuar masat e sigurisë në nivel vendi, përfshirë në pjesën veriore të banuar me shumicë serbe, ku ditëve të fundit kanë ndodhur disa incidente me mjete shpërthyese.

Policia tha se do të shtojë aktivitetet, do të rrisë prezencën në terren, “duke realizuar më shumë patrullime në zona më kritike, më shumë pika kontrolli dhe rritje të bashkëpunimit me qytetarët”.

Ky institucion tha se me shtimin e masave policore synohet të ruhet rendi e qetësia publike, të parandalohen aktet kriminale dhe të hetohen e vihen para drejtësisë “të gjitha ata që do të guxojnë të atakojnë sigurinë, ligjin dhe rendin kushtetues”.

Në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, ditëve të fundit janë shënuar incidente me mjete shpërthyese.

Më 27 Nëntor, autoritetet njoftuan se stacioni policor në Zveçan ishte sulmuar me dy granata dore.

Ndërkaq, më 29 Nëntor Policia bëri të ditur se është sulmuar me një mjet shpërthyes, që dyshohet të jetë granatë dore, edhe ndërtesa e Komunës së Zveçanit.

Ky incident është dënuar nga autoritetet në Kosovë, që i kanë cilësuar si “akte kriminale” që synojnë “të ndjellin frikë”.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, e fajësoi Serbinë për, siç tha, “dirigjimin” e bandave kriminale për kryerjen e sulmet të ditëve të fundit ndaj institucioneve në veri.

Katër komunat në veri të Kosovës – Zubin Potoku, Zveçani, Leposaviqi dhe Mitrovica e Veriut – udhëhiqen nga kryetarë shqiptarë, pasi serbët dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës dhe bojkotuan zgjedhjet lokale të mbajtura vitin e kaluar.

Në vitet e fundit, në veri të Kosovës janë regjistruar një sërë incidentesh.

Rastet e hedhjeve të mjeteve shpërthyese dhe djegie të veturave u rritën veçmas gjatë periudhës kur po zbatohej vendimi i Qeverisë së Kosovës për konvertimin e targave serbe në ato RKS – Republika e Kosovës.

Prej atëherë, tensionet në veri vazhdojnë të jenë kryesisht të larta, gjithashtu për shkak të atyre që Qeveria e Kosovës i konsideron si hapa për shtirje të sovranitetit në këtë pjesë./REL