Një nga dhuruesit më të njohur të gjakut në botë, plazma e të cilit shpëtoi 2.4 milionë bebe, ka ndërruar jetë.
James Harrison vdiq në gjumë në azilin ku ai qëndronte në New South Wales, Australi më 17 shkurt, ka deklaruar sot familja e tij. Ai ishte 88 vjeç, raporton BBC.
I njohur në Australi si njeriu me krah të artë, gjaku i Harrison përmbante një antitrup të rrallë, Anti-D që përdoret për të prodhuar barna për nënat shtatzënë, gjaku i të cilave mund të sulmojë foshnjat në barkun e tyre.
HFDN bën që rruazat e kuqe të gjakut të nënës mund të mos përshtaten me atë të bebes. Sistemi imunitar i nënës i sheh rruazat e kuqe të fetusit si kërcënim dhe prodhon antitrupa për t’i sulmuar. Kjo mund të dëmtojë rëndë fëmijën, të shkaktojë anemi të theksuar, mosfunksionim të zemrës e deri vdekjen.
Kryqi i Kuq australian i kushtoi homazhe të ndjerit dhe tha se ai ishte deklaruar si dhurues pasi kishte marrë transfuzione gjatë një ndërhyrjeje të ndërlikuar në kraharor kur ishte 14 vjeç.
Nuk është e qartë se përse gjaku i tij kishte kaq shumë Anti-D, por sipas disa raportimeve, mund të jetë e lidhur me transfuzionin e lartpërmendur të gjakut.
Në moshën 18-vjeçare ai nisi të dhuronte plazmën e gjakut dhe këtë vazhdoi ta bënte çdo dy javë deri në moshën 81-vjeçare. Në 2005, kishte vendosur një rekord botëror për plazmën e dhuruar, titull që e mbajti deri më 2022 kur u tejkalua nga një amerikan.
Vajza e tij, Tracey Mellowship u shpreh se i ati ishte “shumë krenar që kishte shpëtuar kaq shumë jetë, pa ndonjë shpenzim apo dhimbje. Ai thoshte se nuk të dhemb dhe se jeta që shpëton mund të ishte jotja”.
E bija dhe dy nipërit e tij kanë marrë gjithashtu injeksione të Anti-D./tvklan.al