Parlamenti i Maqedonisë nuk arriti t’i heqë imunitetin e deputetit ish-Kryeministrit Nikolla Gruevski. Gjykata penale i dërgoi kërkesë parlamentit për t’ia hequr atij imunitetin pasi e dënoi me 2 vite burg në maj për abuzim me tenderat.
Por kërkesën e mbështetën vetëm 58 deputetë të shumicës qeverisëse nga 80 vota të nevojshme. Ndërsa kundër 23 deputetë të opozitës.
Nikolla Gruevski duket se ka shpëtuar nga burgu, ku duhej të paraqitej më 8 Nëntor, i shpallur fajtor nga Gjykata Penale e Shkupit për dëmin financiar prej 600 mijë në abuzimin me tenderin për Mercedesin luksoz kur ishte kryeministër.
Megjithatë konstitucionalistët thonë se Kushtetuta parashikon që deputetët dënohen automatikisht pavarësisht imunitetit, nëse gjykata vendos t’i burgosë me mbi 5 vite për vepra të ndryshme penale. Gruevski është aktualisht nën hetim për 6 raste korruptive, për të cilat nëse shpallet fajtor, mund t’a arrijë masën periudhën e burgimit të parashikuar nga Kushtetuta.
Tv Klan