“Flukset turistike vijojnë të jenë të larta edhe përgjatë vjeshtës në vendin tonë. Historia, kultura, tradita, por dhe kulinaria janë vetëm disa nga arsyet se përse të huajt po zgjedhin Shqipërinë edhe gjatë kësaj periudhe”, raporton gazetari Maksi Rama.
Mjafton të qëndrosh disa minuta pranë sheshit “Skëndërbej” në kryeqytet dhe mund të shohësh turistë të shumtë, të cilët ndalesën e parë e kanë tek ky shesh i rendësishëm.
Përveç Tiranës, ekspertët e turizmit rendisin disa nga zonat më të frekuentuara nga të huajt siç janë Razma, Voskopoja, Thethi, Lezha e mjaft destinacione të tjera.
Polakët janë më besnikët sa i përket vizitave në Shqipëri, por ekspertët shprehen se është shtuar ndjeshëm interesi i gjermanëve për Shqipërinë.
Çmimet konkurruese dhe traditat e vendit tonë, shtojnë gjithnjë e më shumë interesin e të huajve sipas ekspertëve për vendin e shqiponjave.
Përgjatë periudhës Janar-Shtator të këtij viti, janë regjistruar mbi 4.5 milionë vizitorë në zonat e mbrojtura dhe mbi 1 milionë vizitorë në sitet e kulturës.
Klan News